“Donald Trumpi i Kosovës” në mbështetje të Hillary Clintonit

Në ditët e fundit të përfundimit të fushatës zgjedhore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, më në fund duket se kosovarët e kanë gjetur Donald Trumpin e tyre.

Lajme

03/11/2016 15:03

Njohësi i rrethanave politike në Kosovë, Baton Haxhiu, ka gjetur shumë veti të kandidatit kontrovers amerikan tek një personalitet shumë i njohur në Kosovë.

Haxhiu është i bindur se Veton Surroi është personifikim i Donald Trumpit dhe mishëron krejt vlerat e tij, shkruan lajmi.net.

“Nuk ka kush që më përngjan në Trumpin më shumë se ky (Veton Surroi), edhe diskursi racist, edhe diskursi hakmarrës…”, ka thënë Haxhiu, ditë më parë duke thur analogji ndërmjet Surroit dhe Trumpit.

Por, kjo nuk është e tëra, Haxhiu në këtë intervistë shkon edhe më larg. “Edhe raportin me femra e ka sikur Trumpi”, ka shtuar Haxhiu për Surroin.

Megjithatë, “Donald Trumpi” kosovar, sot ka dalë kundër Trumpit të vërtetë.

Ai ka publikuar një vështrim katër pikësh, një lloj manuali se si duhet të votojnë shqiptaro-amerikanët.

Surroi në këtë vështrim, sugjeron shqiptaro-amerikanët që në asnjë rrethanë të mos votojnë për Donald Trumpin.

Në këtë shkrim, Surroi e përshkruan Trumpin si një politikan që në rast se i fiton zgjedhjet do të veprojë në kundërshtim me interesat shqiptare në botë.

Prandaj, Trumpi i Kosovës, kërkon që shqiptaro-amerikanët të votojnë për Hillary Clintonin dhe jo Trumpin amerikan. /Lajmi.net/