Donacion i Fortë për Vetëvendosjen

Pas thirrjes publike për kontribute vullnetare, Vetëvendosje ka marrë 10 euro donacion për fushatë nga Partia e Fortë.

Lajme

30/09/2013 12:35

Lëvizja Vetëvendosje ka marrë një donacion “modest por domethënës” nga Partia e Fortë, pak ditë pasi Albin Kurti ka dalë me një thirrje publike për mbështetje financiare të fushatës nga populli.

Partia e Fortë vlerëson se gara zgjedhore duhet të jetë sa më e barabartë dhe ndien si obligim që të japë kontributin e saj për çdo subjekt tjetër politik i cili mund të jetë në disavantazh financiar.

“Rëndësia e fushatës parazgjedhore është tejet e madhe dhe ne e dimë më së miri se sa e kushtueshme është ajo. Qytetarët nuk janë në gjendje që vetë ta vlerësojnë punën e një subjekti politik andaj edhe është e nevojshme që, duke filluar nga një muaj para zgjedhjeve, atyre t’u reklamohen të gjitha mundësitë e votimit dhe premtimet e subjekteve politike”, thotë Asdren Jonuzi, përfaqësuesi financiar i Partisë së Fortë.

“Veprat janë ato që flasin, mirëpo më së shumti flet fushata elektorale.”

Pasi që ende nuk është ndarë buxheti nga Fondi për mbështetjen e subjekteve politike për fushatën zgjedhore, subjektet politike që marrin pjesë në zgjedhje duhet të bazohen vetëm tek buxhetet e tyre ekzistuese.

“Besojmë që kontributi ynë prej 10 eurosh do të jetë një ndihmesë e madhe që edhe ky subjekt politik të jetë sa më i barabartë me ne të tjerët në mbushjen e mendjes së qytetarëve në kërkim të votës së tyre.”

Partia e Fortë beson në parimet demokratike dhe angazhohet që çdo proces zgjedhor të jetë i pasur me premtime sa më të larmishme të të gjitha subjekteve politike ashtu që qytetarëve të u duket se kanë më shumë zgjedhje.