Dokumentet përgatitore të Kushtetutës fshiheshin në Zyrën e kryeministrit

Institucioni i Avokatit të Popullit ka gjetur se ku fshiheshin dokumentet përgatitore të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Lajme

11/12/2014 14:50

Dokumentet përgatitore të Kushtetutës së Republikës së Kosovës kanë qenë të fshehura në Zyrën e kryeministrit, por që ato tash janë dërguar në Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, ka bërë të ditur Institucioni i Avokatit të Popullit

Në një komunikatë të dërguar nga Avokati i Popullit, thuhet se më 28 tetor, ky institucion ka hapur hetime me vetiniciativë (ex-officio) në lidhje me ekzistencën, ruajtjen, vendndodhjen dhe qasjen në “travaux preparatoires” (punët përgatitore) të Komisionit Kushtetues të Kosovës.

Sipas komunikatës thuhet se tashmë këto dokumente janë në vend të sigurt.

“Këto hetime kanë qenë të suksesshme dhe dokumentet e punëve përgatitore tani janë gjetur dhe janë dorëzuar në vend të duhur dhe të sigurt, në Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës”,

“Avokati i Popullit kishte hapur hetimet lidhur me këtë çështje, pasi që kërkesat e vazhdueshme për sigurimin e punëve përgatitore të Kushtetutës, nga ana e Gjykatës Kushtetuese, rezultuan të pasuksesshme, gjatë një periudhe prej më shumë se katër viteve”.

“Pas një hulumtimi këmbëngulës dhe pas komunikimeve të suksesshme me zyrat përgjegjëse në Kuvendin e Republikës së Kosovës, Presidencën, Qeverinë e Kosovës dhe Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, Avokati i Popullit, më 5 dhjetor 2014, ka marrë konfirmimin zyrtar që Zyra e Kryeministrit, e cila posedonte të gjitha dokumentet e punëve përgatitore, i dërgoi ato në Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës më 24 nëntor 2014, dhjetë ditë pas kërkesës së parë nga ana e Avokatit të Popullit”, thuhet në komunikatë.

Më 8 dhjetor 2014, Avokati i Popullit kishte vizituar Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës për të konfirmuar drejtpërsëdrejti ekzistencën dhe ruajtjen e punëve përgatitore. Në Agjenci kanë shprehur përkushtimin e tyre për të dërguar sa më shpejtë tek Institucioni i Avokatit të Popullit, një kopje të të gjitha dokumenteve të kërkuara, pas sistematizimit arkivor, në përputhje me Ligjin për Avokatin e Popullit dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Me këtë rast, Avokati i Popullit u bën thirrje të gjitha institucioneve përgjegjëse që të hetojnë arsyet dhe shkaqet e “humbjes” dhe mos zbulimit të punëve përgatitore për këto gjashtë vite të fundit, dhe ato t’i bëjnë të njohura për publikun.