Doktor Agim Çeku

Agim Çeku premton ta shërojë shëndetësinë e Prishtinës, nëse e merr timonin e Kryeqytetit. Gjatë mandatit të tij pohon se do ta ndërtojë një Spital Rajonal në Kryeqytet. Thotë se e ka seriozisht.

Lajme

04/10/2013 15:51

Është vetëm fillimi, por fushata e zgjedhjeve të 3 nëntorit ka filluar të nxehet nga premtimet.

Nëse Agim Çeku fiton postin e Kryetarit të Prishtinës, kryeqytetasit nuk do të kenë nevojë të kërkojnë kujdes shëndetësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Ai ka premtuar se do ta ndërtojë një spital rajonal, të tillë çfarë e kanë të gjashtë komunat tjera të mëdha të Kosovës.

Agim Çeku, kandidat i Partisë Demokratike të Kosovës për Kryetar të Prishtinës u ka premtuar përfaqësuesve të Federatës Sindikale të Shëndetësisë së Kosovës se do ta ketë në fokus shëndetësinë, në rast se votohet për postin e synuar.

“Ju siguroj se në programin tim, shëndetësinë e kam në prioritet të lartë. Medoemos duhet ta ndërtojmë një spital rajonal në Prishtinë. Kjo është njëra ndër prioritetet më të larta”.

“Unë vërtet e kam në program dhe në mendje ta mbështes këtë sektor në nivelin komunal aq sa mundem, por në bashkëpunim me Qeverinë dhe me donatorët e ndryshëm ta ngrisim nivelin e shëndetësisë”.

“Do të merrem shumë me standardin e punonjësve shëndetësorë në komunë. Do të kërkoj shumë nga jashtë dhe dua që në fund të mandatit qytetarët ta kenë besimin në shëndetësi. Ne do të ofrojmë shëndetësinë në shkolla, e kam në plan që në shkolla të ketë edhe mjek, të ketë edukatë shëndetësore mjekësore, të ketë stomatolog, por të ketë edhe psikolog”.

Çeku tha se e ka një përparësi më shumë se kandidatët tjerë.

“Unë në krahasim me kandidatët tjerë për kryetar komune kam një përparësi, do të kem qasje dhe bashkëpunim shumë më të afërt me Qeverinë apo ministritë sepse e kam përkrahjen e tyre. E kam dhe do ta kem sepse kjo qeverisje jam i sigurt se do të vazhdoj. Kjo Qeveri sot do të jetë edhe nesër.”

“Unë po dua që qytetarët të më tregojnë çka presin nga unë çfarë nevoja kanë, çfarë halle kanë edhe në qoftë se më votojnë, t’ua zgjidh ato halle.”

“Ky është parimi im. E kam seriozisht, e kam përnjëmend. Unë një send çka e them mundohem me mish e shpirt ta bëj”.