Doganat shënojnë rritje në të hyra

Kosova shënon rritje të të hyrave doganore në dy muajt e parë të vitit 2014. Gjatë periudhës janar-shkurt, vlerat e importit arrijnë 283 milion euro, ndërsa ajo e eksportit kap vlerën 46 milion euro, shifër kjo dukshëm më e ulët.

Lajme

16/03/2014 19:19

Doganat e Kosovës rrisin efikasitetin në mbledhjen e të hyrave. Gjatë dy muajve të parë të këtij viti vlerat e importit ka arritur shifrën në 283 milion euro, ndërsa ajo e eksportit kap vlerën 46 milion euro, raporton RTK.

Duke iu referuar raporteve të fundit Zëdhënësi i Doganës, Adriatik Kelemendi, ka thënë se Kosova eksporton më së shumti mallra, në shtetet fqinje si Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi dhe Serbi.

Ndërsa vendet që importojnë mallra në Kosovë janë: Shqipëria, Serbia, Italia, Maqedonia, Sllovenia dhe Turqia.

Pas rritjes së të hyrave doganore, Këshilli Konsultativ i Doganës dhe Bizneseve pritet të mblidhet javën e ardhshme.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, thotë se duhet shqyrtuar, nëse është rritur efikasiteti i kontrollit doganor, apo është rritur konsumi.

Duke vë në pah debalancat tregtare negative që konsumatorin kosovar e pasqyrojnë në konsumin e prodhimeve të huaja, Shahini ka kërkuar ndryshimin e politikave tregtare, në mënyrë që të ndryshojë struktura e importit të produkteve për konsum të përditshëm.