Doganat dhe Administrata Tatimore e Kosovës, rrisin të hyrat

Dogana e Kosovës për 6 mujorin e parë të këtij viti ka grumbulluar 20 milionë euro më shumë se sa për 6 muajt e parë të vitit 2013. Për të njëjtën periudhë kohore, më mirë se vitin e kaluar është edhe Administrata Tatimore e Kosovës.

Lajme

04/07/2014 15:37

Doganat e Kosovës dhe Administrata Tatimore e Kosovës kanë shënuar rritje në grumbullim të mjeteve për gjashtë mujorin e parë të vitit 2014, në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit 2013. Kjo është bërë e ditur të premten në një konferencë për media nga Ministri i Financave Besim Beqaj, pas takimit me Këshillin Konsultativ, në të cilën morën pjesë udhëheqësit e Doganës dhe Administratës Tatimore si dhe përfaqësuesit e bizneseve.

Rritja e të hyrave nga dy agjencitë kryesore që mbushin arkën e shtetit, sipas Beqaj tregon për luftimin e ekonomisë joformale.

“Performanca e doganave në këtë gjashtë mujor ka qenë pozitive. Është mbi 20 milionë më shumë se sa vitin paraprak. Kemi realizmin e planit në mbi 95 për qind, që tregon se aktiviteti në reduktimin e ekonomisë joformale po shkon në mënyrë të theksuar. Këtë vit është mbi 380 milionë euro, ndërsa në vitin e kaluar ka qenë dikur rreth 360 milionë euro”.

“Kemi diskutuar për raportet e auditimit të këtyre dy agjencive shtetërore me rëndësi të veçantë. Në kuadër të Raportit të UNDP-së, Dogana e Kosovës dhe Administrata Tatimore e Kosovës kanë arritur progres të theksuar sa i përket luftës kundër korrupsionit”, tha Beqaj.

Ndërsa Agim Shahini nga Aleanca Kosovare për Biznes (AKB), kërkoi bashkëpunim në mes bizneseve kosovare dhe institucioneve shtetërore.

“Pa një bashkëpunim të ngushtë midis komunitetit të biznesit dhe Institucioneve shtetëror dhe agjencive që janë në Kosovë, për mbledhjen e të hyrave, qoftë Doganat dhe Administrata Tatimore e Kosovës, nuk do të kishim arritur deri te një performancë e mirë e audituar nga mekanizmat e ndryshëm ndërkombëtar”.

“Mbetet që ende bizneset të ngrisin më tutje kulturën e vet fiskale, të jenë të ndërgjegjshëm ndaj institucioneve shtetërore, por edhe agjencitë,  doganat dhe Administratë Tatimore ti trajton barabartë bizneset edhe kjo do të ishte e ndershme”, tha Shahini.