Dogana u jep afat edhe 2 javë tregtarëve

Tregtarët kanë arritur marrëveshje me Doganat që vendimi i vjetër për importin e mallrave të vazhdojë edhe për 2 javë. Një pjesë e madhe e tregtarëve nuk u pajtuan me propozimin e Doganës.

Lajme

07/05/2014 17:55

Përfaqësuesit e bizneseve të Kosovës që importojnë mallra të ndryshme nga Turqia, Dubai, Kina dhe Bullgaria janë pajtuar me Doganën e Kosovës që importin e mallrave nga këto vende të bëjnë me vendimin e vjetër të paktën edhe për 2 javë.

Qindra prej tyre të mërkurën kanë protestuar para Doganës së Kosovës për të kundërshtuar vendimin paraprak të marrë më 5 maj të këtij viti, i cili precizonte se tregtarët duhet që zhdoganimin e mallit ta bëjnë në mënyrë individuale.

Xhavit Murmullahu, përfaqësues i bizneseve, thotë se ky vendim i Doganës do t’i dëmtojë materialisht bizneset tregtare në vend dhe do t’i hapte rrugë për kontrabandë.

“Vendimi i marrë bie ndesh me komunitetin e biznesit me të cilët nuk është konsultuar fare. Po i njëjti vendim bie ndesh edhe më përkrahjen e kryeministër dhënë bizneseve, si dhe hapjen e vendeve të rejat të punës.”

“Ky vendim në mënyrë indirekte po ndikon në zhvillimin e kontrabandës që mund të vijë nga rajoni duke ju shmangur taksave”,

“Kërkojmë nga kryeministri që vendimi i marrë nga drejtori i Doganave të Kosovës të anulohet sepse është i pa realizueshëm teknikisht për ne, dhe shpie në mbylljen e më shumë se 4 mijë bizneseve tona të vogla dhe të mesme dhe ndikon në shuarjen e tyre si dhe humbjen e mbi 10 mijë vendeve të punës”, tha Xhavit Murmullahu, përfaqësues i bizneseve.

Por përfaqësuesit e bizneseve u zbrazen nga kërkesat e tyre pas një takimi dy orësh që patën me drejtorin e Doganave të Kosovës, Lulzim Rafuna.

Ata thanë se u pajtuan që transporti i mallrave të vazhdojë me procedurën e vjetër deri me 1 qershor.

“Kemi kërkuar afat 3 mujor kemi bërë një zgjidhe 23 ditëshe për të vazhduar transportuesit e njëjtë me ua transportuar mallrat e tregtarëve të vegjël, deri sa të bëjmë zgjidhje”,tha Murmullahu.

Ndërkaq, zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci tha se janë pajtuar me përfaqësuesit bizneseve që vendimi i doganës të shtyhet të deri në rregullimin e dokumenteve.

“Sot Dogana e Kosovës ka takuar përfaqësuesit e bizneseve. Me ta  jemi dakorduar që vendimi i  Doganës i cili saktëson se malli të zhdoganohet sipas pronarit i cili e deklaron atë mall, të shtyhet dhe tu epet edhe një afat shtesë që ata të përgatisin dokumentet e nevojshme që të fillojnë zhdoganimin sipas pronarit”, tha Stavileci.

Ai ka thënë se ky vendim ka ardhur si pasoj e dallimit të çmimit nga ajo çfarë është deklaruar dhe asaj që e ka në të vërtet.

“Pas kontakteve me doganën e Turqisë e kemi vërejtur që malli që është deklaruar nuk e ka çmimin e njëjtë qysh ka dal prej Turqisë. Për këtë arsye, ne e kemi rritë vlerën doganore e cila ka shkaktuar pa kënaqësi te tregtarët. Për këtë kemi vendosur që secili ta bëjë zhdoganimin e mallit të vet”, tha Stavileci.