Dogana sivjet duhet të mbledhë mbi 1 miliard e 75 milionë euro

Bahri Berisha, drejtor i Doganës, ka treguar se për vitin 2018, nga projeksioni i Qeverisë pritjet janë që Dogana e Kosovës të mbledhë 1 miliard e 75 milionë euro, që, sipas tij, është një rritje rreth 65 milionë euro nga viti paraprak.

Lajme

06/01/2018 23:05

Sipas tij, goxha është një rritje krahasuar edhe me politikat fiskale të cilat shkojnë në favor të lirimit nga taksat doganore, akcizës dhe TVSH-së.

“Po me marrë parasysh një rritje ekonomike që është mbi 4 % në Kosovës. Investimet kapitale nga sektori publik që janë në rritje, rezistencat, pritjet për investime nga jashtë të gjitha këto mund të gjenerojnë një rritje më të madhe të dërgesave për import që mund të thuhet edhe një rritje më e madhe e të hyrave”, tha ai për televizionin publik.

Berisha tha se edhe Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit do të ndikojë që të jenë më pak rreth 32 milionë euro në të hyrat doganore.

“Presim që efekti i MSA-së, këtë vit të jetë diku rreth 32 milionë euro që ka ndikuar në taksën doganore, nga mbledhjet në kufi, po sigurisht kjo i ka pasur efektet pozitive në brendi vet MSA-ja. Edhe në raportet tregtare Kosovë-BE, se kemi edhe një rritje të lehtë të eksportit kosovarë drejtë vendeve të BE-së, por edhe të vendeve të BE-së drejtë Kosovës. Eksportet në total kanë shënuar një rritje në përgjithësi, nëse flas në aspektin e vlerës kemi diku rreth 50 % në aspektin vleror eksporti i përgjithshëm, produktet me origjinë kosovare. Ndërsa në aspektin sasior shkon diku mbi 20 % rritja e eksportit kosovarë për vitin 2017”, tha ai.

Berisha ka treguar se gjatë vitit 2017 ka pasur më pak evazion fiskale, e që këtë e dëshmon edhe faktin i rritjes së të hyrave vitin e kaluar mbi 6.5 %. Ai theksoi se gjatë vitit të kaluar kishte 40 % më pak ankesa ndaj doganës se sa një vit më herët.