Dogana ka një lajmërim me rëndësi për rregullat e reja rreth automjeteve

Dogana e Kosovës përmes një postimi në faqen e vet në Facebook, ka bërë një njoftim me interes rreth rregullave të reja për automjetet.

Lajme

29/12/2017 17:08

“Duke qenë se me 01 janar 2018 fillohet me zbatimin praktik të Ligjit për Automjete Nr.05/L-132, ju informojmë se duke filluar nga data 1 janar 2018 të gjitha veturat e kategorisë M1 më të vjetra se 10 vite dhe ato që nuk kanë motor të standardit euro 4 nuk mund të zhdoganohen në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftim.

Dogana njofton se me rastin e përcaktimit të vjetërsisë të merret për bazë viti i parë i regjistrimit i cili duhet të jetë brenda periudhës 01 janar – 31 dhjetor të vitit 2008.

“Kjo nënkupton se të gjitha automjetet të cilat janë regjistruar për herë të parë në këtë periudhë të Vitit 2008 dhe i plotësojnë kushtet për lirimin e gazrave sipas standardi të përcaktuar me EURO 4 mund të importohen në Kosovë. I vetmi institucion në Kosovë i cili ka mundësi për përcaktimin e nivelet të lirimit të gazrave është institucioni i autorizuar për homologim ‘Eurolab’”, thuhet më tutje në njoftim.

Kjo ndalesë nuk zbatohet në importin e:

1. Mjeteve motorike për transport të mallrave

2. Automjeteve të importuara në procedurë Importit të Përkohshëm (IM5),

3. Automjeteve për shfrytëzim nga misionet diplomatike (ligji nr. 03/l-033), dhe

4. Automjetet me vlerë muzeore (old timer).