Dogana e Kosovës realizon të hyra rekord

Që nga janari i këtij viti deri në muajin gusht, Dogana e Kosovës, ka arritur shifrën rekord pasi kanë mbledhur mbi 500 milionë euro të hyra, gjë e cila ka ndodhur për herë të parë që nga themelimi i saj.

Lajme

16/08/2014 19:29

Në njoftim nga Dogana e Kosovës thuhet se të hyrat krahasuar me vitin e kaluar, paraqesin një rritje afër 20 milionë euro, pasi që vitin e kaluar Dogana kishte mbledhur rreth 484 milionë euro, kurse tani në të njëjtën periudhë Dogana ka arritur të mbledh mbi 506 milionë euro. 

Më tutje thuhet se, një nga faktorët që ka ndikuar direkt në rritjen e performancës së organizatës është edhe reforma e aplikuar në regjionalizimin e institucionit. Gjithashtu rritja e kontrolleve kufitare, luftimi i kontrabandës si dhe rritja e përmbushjes vullnetare nga bizneset e përgjegjshme. 

Ndryshe, Dogana e Kosovës sipas trendëve aktuale, deri në fund të vitit 2014 do të arrijë rekord në mbledhjen e të hyrave në krahasim me vitet tjera.