Dogana e Kosovës mblodhi 167 milion euro për 3 muaj

Drejtori i Përgjithshëm i Doganave të Kosovës, Naser Rafuna, thotë se janë tejkaluar parashikimet sa i përket mbledhjes së të hyrave. Sipas tij, ky është tre mujori më i suksesshëm në histori të Doganës së Kosovës.

Lajme

05/04/2014 13:52

Në tre mujorin e parë të vitit 2014 Dogana e Kosovës ka arritur të inkasojë 167 milion euro.

Kështu ka thënë Drejtori i Përgjithshëm i doganave, Lulëzim Rafuna, këto shifra i ka publikuar sot në një konferencë për media, duke e cilësuar si fillim vitin më të suksesshëm për Doganën e Kosovës.

Gjatë prezantimit të punës për këtë periudhë, Rafuna theksoi se janë mbledhur 6.7 milion euro më shumë, sesa që ishte parashikuar.

“Ky është tremujori më i suksesshëm në histori të doganës dhe rezultatet tregojnë se me të vërtet kemi arritur shumë në këta pak muaj.”

“ Fillimi i kampanjës anti-korrupsion krahasimi në mes të vitit 2013 dhe 2014 tregon qartë se kemi rritje të të hyrave me mbi 20 milion euro që në përqindje është afër 14%. Në tremujorin e vitit të kaluar ne kemi mbledhur 147,1 milion euro kurse sivjet arritëm në 167.3 milion euro. “

“Nëse krahasohet me projeksionin e të hyrave për vitin 2014 kemi tejkalim të projeksionit i cili për tre muajt e parë ishte planifikuar 161 milion kurse ne aktualisht kemi 6,3 milion më shumë pra 167,3 milion euro”.

Përveç kësaj, Rafuna theksoi se taksat kanë shënuar rritje. Sipas tij, taksa doganore është rritur me 7.5%, taksa e akcizës ka rritjen më të madhe prej 18.6%, ndërsa TVSH’ja ka një rritje prej 6.4%.

“Duhet të theksohet se e gjithë kjo rritje ka ardhur si rezultat i përmirësimit të kualitetit të zhdoganimeve në aspektin e vlerësimit të mallrave dhe rritje së kontrolleve në të gjitha pikë-kalimet kufitare.

“Rritja e kontrolleve ka rezultuar automatikisht me rritjen e numrit të kundërvajtjeve për tre muajt e parë. Pra kemi 339 raste në krahasim me 219 raste vitin e kaluar. Gjithashtu është rritur numri i zbulimeve të veprave penale për tre muaj e parë kemi pasur 31 raste të cilat janë adresuar në prokurorit kompetente”.

“Përveç rritje së numrit të kundërvajtjeve dhe rasteve penale dogana ka filluar përgatitjen e lehtësirave përmes të ashtuquajturit kanali kaltër që do të ju mundësoj kompanive kalim shumë më të shpejt përmes procedurave doganore me kosto më të ulët”.