Dogana asgjëson një pjesë të mallrave të konfiskuara

Adriatik Stavileci thotë se Dogana e Kosovës gjatë vitit 2013 ka konfiskuar mallra të ndryshme që arrijnë vlerën deri në 1.2 milion euro. Sipas tij, këto mallra kryesisht shiten përmes ankandeve publike, por një pjesë e tyre edhe shkatërrohen.

Lajme

20/04/2014 16:21

Përfaqësues të Doganave të Kosovës thonë se mallrat e konfiskuara në të shumtën e rasteve asgjësohen, por ka edhe të tilla që shiten në ankande publike.

Zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci thotë se asgjësimi i këtyre mallrave bëhet në përputhje me rregullat e përgjithshme të ruajtjes së ambientit.

Ndërsa shitja e në ankande publike, sipas tij, ndihmon rritjen e të hyrave në Dogana, raporoton REL.
 
“Dogana e Kosovës konfiskon mallra të ndryshme, por varësisht nga natyra e tyre, dallon edhe trajtimi. Kur konfiskojmë mallra ushqimore, autoritetet e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë janë ato që  vendosin lidhur me trajtimin e atyre mallrave.

“Mallrat kryesisht shiten përmes ankandeve publike, për mallra që lejon ligji të shiten, kurse një pjesë e mallrave shkatërrohen nëse paraqesin rrezik potencial”.
 
“Vetëm në vitin 2013, Doganat e Kosovës kanë konfiskuar mallra të ndryshme në vlerë rreth 2 milionë euro, kemi ngritur 151 kallëzime penale dhe kemi shqiptuar  862 kundërvajtje doganore”.
 
Për asgjësimin e mallrave ushqimore të konfiskuara nga Doganat e Kosovës, merret Agjencia e Veterinarisë dhe Ushqimit.
 
Zëdhënësi i Agjencisë së Veterinarisë dhe Ushqimit, Lamir Thaçi tha për Radion Evropa e Lirë se për çështjen e asgjësimit të produkteve ushqimore ka ndihmuar edhe Komisioni Evropian.
 
“Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, me qëllim të zgjidhjes së çështjes së nënprodukteve shtazore, qysh nga viti 2008, me ndihmën e Komisionit Evropian, ka arritur të zhvillojë projektet për ndërtimin e një fabrike të asgjësimit dhe përpunimit të këtyre nënprodukteve shtazore, e cila me financim nga BE-ja do të fillojë ndërtimin këtë vit apo në vitin e ardhshëm – në varësi nga dinamika e përfundimit të projektimit”, tha Thaçi për REL.