Dobitë nga vizitat

Ambasadori Francez në Serbi, Francois Xavier Deniau, mendon se vizitat e zyrtarëve serbë në Kosovë mund të jenë të dobishme. Thotë se ftesa që ata ua bëjnë serbëve për të dalë në zgjedhje, është e favorshme për të dyja palët.

Lajme

04/10/2013 14:51

Ambasadori i Francës në Beograd François Xavier Deniau ka thënë se vizitat e zyrtarëve serbë gjatë fushatës parazgjedhore në Kosovë mund të shfrytëzohen në të mirë të dyja palëve.

“Përderisa këto vizita kanë për qëllim të bëjnë thirrje tek serbët e Kosovës që të marrin pjesë në zgjedhje, posaçërisht serbët e veriut, mendoj që vizita të tilla janë të favorshme për të gjithë”, ka thënë Ambasadori Francez për mediat serbe.

Sipas tij, organizimi i zgjedhjeve në Kosovës është pjesë e marrëveshjes së arritur në Bruksel.

“Organizimi i duhur i zgjedhjeve të 3 nëntorit në Kosovë është një element themelor, pjesë e marrëveshjes Prishtinë-Beograd. Është e rëndësishme që serbët e Kosovës të marrin pjesë në një numër sa më të madh në këto zgjedhje, pasi që përmes votës ata do të mund të arrijnë t’i realizojnë interesat e tyre”.

“Për këtë arsye jam i kënaqur duke e ditur faktin se kryeministri i Kosovës dhe ai i Serbisë do të takohen në javën e ardhshme në Bruksel në mënyrë që të diskutojnë lidhur me çështjen e vizitave të zyrtarëve serb në fushatën parazgjedhore në Kosovë”.