Do të ishte aventurë pritja deri në vjeshtë me këto institucione

Shkëlzen Maliqi mendon se kërkesa e Haradinajt për zgjedhje është kolapsi institucional dhe se vazhdimi i kësaj gjendjeje mund të sjellë rreziqe. Thotë se Thaçi është i fortë në taktizime, por në këto rrethana hapësirën manovruese e ka tejet të kufizuar.

Lajme

13/02/2014 12:20

Analisti Shkëlzen Maliqi beson se bllokada që ka kapluar Institucionet e Kosovës, tashmë kur është e qartë se Qeveria nuk i ka numrat në Kuvend, është motivi kryesor pse Ramush Haradinaj i kërkoi Presidentes së Kosovës të ndërmarrë hapa për mbajtjen sa më parë të zgjedhjeve parlamentare.

Në një intervistë për lajmi.net, Maliqi shprehet se sepse vazhdimi i gjendjes së krizës mund të sjellë pasiguri dhe rreziqe.

Sipas tij, politikanët me ndërgjegje dhe përvojë do të duhej të reflektonin pas zhvillimeve të fundit në vend.

 

Lajmi.net: Lideri i AAK’së, Ramush Haradinaj, i ka kërkuar Presidentes Atifete Jahjaga që të fillojë dialogun menjëherë me subjektet politike, në mënyrë që në Kosovë të shpallen zgjedhjet parlamentare. Çka shihni ju në këtë nismë të Haradinajt?

Shkëlzen Maliqi: Ramush Haradinaj si duket ka vendosur të reagojë për shkak të bllokadës së sërishme të punës së Kuvendit të Kosovës.

Të hënën Kuvendi nuk pati kuorum për të aprovuar  rekomandimet për krizën në UP, e edhe më herët Kuvendi disa herë rresht i ka munguar kuorumi për vendimmarrje. Dhe kjo po ndodh zakonisht si lloj i obstruksionit i vetë deputetëve të koalicionit qeverisës, pasi që Qeveria nuk i ka më votat e mjaftueshme në Kuvend dhe në këtë mënyrë e blen kohën, përndryshe do të duhej të rrëzohej.

Po ndodh diçka që mund të quhet kolaps institucional.

Lajmi.net: A jeni të bindur se arsyeja e vërtetë e kësaj kërkese të Haradinajt është kolapsi institucional, apo atij megjithatë i ra ndërmend edhe diçka tjetër, meqë deri para pak ditësh preferonte që zgjedhjet të mbaheshin në orar të rregullt dhe me reformë zgjedhore, ndërkohë që kriza institucionale, siç e konstatuat edhe ju, s’është diçka e re?

Shkëlzen Maliqi: Mendoj se motivi kryesor është kolapsi, sepse ashiqare vazhdimi i gjendjes së krizës mund të sjellë pasiguri dhe rreziqe.

Sigurisht se para disa javësh Haradinaj ka mundur të vlerësojë si më të arsyeshme që koha e mbetur deri në vjeshtë të shfrytëzohet për reformë zgjedhore, siç edhe propozonin diplomatët e huaj, në mënyrë që zgjedhje të zhvillohen me rregullsi më të madhe.

Por, në ndërkohë, kemi pasur disa zhvillime që politikanët me ndërgjegje dhe përvojë është dashur t’i reflektonin.

Së pari, në shoqërinë kosovare kemi një rritje të pakënaqësisë që mund të shndërrohet shumë lehtë në revoltë të hapur, çfarë ndodhi para disa ditësh me revoltën ndaj drejtuesve të UP-së.

Së dyti, respektimi i afatit të rregullt për zgjedhjet do të krijonte një vakum kohor të gjatë të vendnumërimit dhe pasigurisë, me pasoja për të gjithë subjektet politike, pasi që edhe në zgjedhjet lokale të nëntorit dhe dhjetorit u pa tendenca e forcimit të mosbesimit ndaj liderëve dhe skenës aktuale politike.

Së treti, do të ishte aventurë pritja deri në vjeshtë me institucionet aktuale të brishta, sepse nuk do të ishte vetëm humbje kohe por edhe ngecje në raport me Serbinë, e cila më 16 mars do të mbajë zgjedhjet e parakohshme.

Nëse Serbia do të ketë një Qeveri të re dhe më stabile deri në prill ose maj, edhe Kosova për hir të vazhdimit të suksesshëm të dialogut, do të duhej të kishte sa më parë një Qeveri të rilegjitimuar dhe stabile.

Më në fund, është e vërtetë se në zgjedhjet lokale AAK-ja e ka humbur Pejën dhe Gjakovën, por në total me vota nuk është aq keq dhe nëse i ka ende ato vota është konkurruese për të qenë subjekt i tretë që mbase do ta kualifikojë në pozitën e Kingmaker në Qeverinë e ardhshme.

Lajmi.net: AAK nuk po e përjashton as mundësinë e një mocioni të votëbesimit për Qeverinë…

Shkëlzen Maliqi: Nga momenti që konstatohet që Qeveria nuk i ka votat në Kuvend, mënyra e rrëzimit të saj është çështje teknike. AAK mund ta shtrojë mocionin e votëbesimit, por i duhet përkrahje e opozitës ose edhe e PDK-së.

Lajmi.net: Çfarë do të thotë nëse vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme? A mund të pritet një proces i mirë, përderisa reforma zgjedhore nuk po bëhet e plotë?

Shkëlzen Maliqi: Ka pasur zëra se shumë pika të reformës tashmë janë harmonizuar dhe se kanë mbetur vetëm disa çështje kontestuese. Mund të shkohet në reformë të pjesshme, duke e lënë për më vonë p.sh. çështjen e zgjedhjes së Presidentit. Zgjedhjet lokale treguan se është rritë vetëdija por edhe kontrolli i votës. Nuk është e thënë se zgjedhjet e parakohshme do të janë me parregullsi si ato të vitit 2010.

Lajmi.net: Pas zhvillimeve të fundit, realisht a e shihni të mundur që Qeveria e Kryeministrit Thaçi ta përfundojë mandatin të plotë?

Shkëlzen Maliqi: Kryeministri Thaçi ka dëshmuar shpesh se është i fortë në taktizime dhe blerjen e kohës, por në këto rrethana që i përshkruam mendoj se hapësirën manovruese e ka tejet të kufizuar.

E mbase edhe Thaçi mund ta ketë idenë se elektorati tradicional dhe stabil i PDK-së, që tani ka nisur të përçahet, mund të jetë më konkurrues nëse zgjedhjet mbahen në pranverë sesa në vjeshtë.