“Do të bëjmë gjithçka që të kualifikohemi në EURO 2020”

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka thënë se ‘Dardanët’ do të bëjnë gjithçka për të siguruar plasmanin në EURO 2020.

Sport

27/11/2018 16:54

Përfaqësuesja e Kosovës ka siguruar ‘Play Offin’ në Ligën e Kombeve, duke u pozicionuar në vendin e parë në grupin 3 në Ligën D, duke e mundur Azerbajxhanin 4:0 në sfidën finale në stadiumin ‘Fadil Vokrri’.

Ademi, i cili së fundi ka qëndruar në Sarajevë, ka dhënë një intervistë për gazetën ‘Dnevni avaz’, përcjell ‘lajmi.net’.

“Nuk do të jetë e lehtë, por do të bëjmë gjithçka që ta arrijmë këtë qëllim. Ne jemi federatë e re, ky është vetëm cikli i dytë që luajmë, në garat e FIFA-s dhe UEFA-s, por kemi krijuar një ekip të mirë të ri, ku mesatarja e futbollistëve është 22 vjeç”, ka deklaruar Ademi.

“Pozitën e parë në grup të Ligës së Kombeve e kemi realizuar pas humbjes së madhe, të ish-presidentit të FFK-së Fadil Vokrri, dhe për këtë shkak këtë sukses ia dedikojmë atij. Mendoj se jemi në rrugë të mirë…Por po e përsërisë , edhe më tutje ne do  ta ndjekim rrugën e Vokrrit. Besoj se në periudhën e ardhshme do të realizojmë rezultate edhe më të mira, sepse tash kemi kontiunitet në punë, ka thënë presidenti i FFK-së”./Lajmi.net/