“Do sqarojmë gabimet, Mali i zi i gatshëm ta rishqyrtojë Demarkacionin”

Qeveria e Ramush Haradinajt është e bindur se Mali i Zi është i gatshëm të rishqyrtojë marrëveshjen për demarkimin e kufirit, ndërkohë që janë të vendosur të sqarojnë pretendimet për gabime në caktimin e kësaj vije kufitare.

Lajme

13/09/2017 11:23

Ani pse është parë me dyshim shkarkimi i Komisionit të mëhershëm, zëdhënësi i partisë së Haradinajt, Muharrem Nitaj, ka thënë se kjo është çështje e brendshme e Kosovës dhe, sipas tij, për këtë s’ka pse të njoftohet askush.

‘Çështja e Komisionit Shtetëror të Demarkacionit, është eksluzivisht çështje e brendshme e Kosovës, dhe nuk ka të bëjë fare me asnjë shtet. Unë nuk e kuptoj pse u dashka që një shtet fqinj të jetë i njoftuar apo, edhe më keq, i konsultuar për këtë punë’, ka thënë Nitaj për gazetën Metro.

Ndërkaq, ani pse Mali i Zi ka kohë që marrëveshjen me Kosovën e ka ratifikuar në Kuvend, Nitaj ka thënë se ata do të jenë të gatshëm të rishqyrtojnë këtë marrëveshje pasi, sipas tij, kjo është në interes të dyanshëm. Ai thotë se duhet të eliminohen gabimet e pretenduara në këtë proces, shkruan gazetametro.net.

“Unë besoj se është obligim yni që t’i sqarojmë të gjitha pretendimet se në këtë proces janë bërë gabime. Kosova nuk po provon t’i marrë askujt asnjë centimetër katror territor. Unë për më tepër besoj se edhe Mali i zi, do të jetë i gatshëm që ta rishqyrtojmë marrëveshjen dhe të eliminojmë gabimet që janë bërë. Kjo është ne interesin e dyanshëm”, ka shtuar ai.

Ndërkohë, i pyetur për qëndrimin e qartë të ambasadës amerikane se nuk përkrahin ndonjë version tjetër për Demarkacionin, pasi dihet se Amerika ka përkrahur fuqimisht versionin aktual, zëdhënësi i AAK’së ka thënë se po interpretohen josaktë qëndrimet amerikane.

‘Nuk jam shumë i sigurtë se jeni duke i interpretuar saktë qëndrimet amerikane’, ka thënë Nitaj për Metron.

Më pas, Nitaj ka treguar se pas emërimit të Komisionit të ri, dihet qartë se cila është puna e parë e tij. Ai ka thënë se çështja e parë do të jetë ajo e demarkacionit me Malin e Zi, të gjeturat e të cilit komision, Nitaj ka thënë se do t’i prezantohen më pas Qeverisë dhe Kuvendit.

Ndryshe, Ramush Haradinaj sa ishte në opozitë kundërshtoi ashpër marrëveshjen aktuale për demarkacionin, pasi ai dhe opozita në tërësi mendojnë se Kosova po humb territor. Për këtë madje u bllokua me gas edhe Kuvendi, duke bërë që kjo marrëveshje të mbetet pezull që nga 2015-a kur është nënshkruar. Tash kur ai po udhëheq me Qeverinë, bëri disa lëvizje në këtë proces, e të cilat zgjuan vëmendjen e ambasadës amerikane të cilët sqaruan se Amerika nuk pëkrah version tjetër për caktimin e vijës kufitare me Malin e Zi./gazetametro.net.