DnV: Vendimet e PZAP-it, pa bazë të mjaftueshme për rinumërim të tërësishëm

Demokracia në Veprim (DnV),e ka vlerësuar të pa bazë vendimin e PZAP-së për rinumërim të plotë të votave në komunën e Prishtinës dhe Prizrenit.

Lajme

23/11/2017 15:00

Sipas kësaj organizate e cila bënë monitorimin e zgjedhjeve në Kosovë, ka thënë se gjatë raundit të dytë nuk është vërejtur ndonjë parregullsi.

“Demokracia në Veprim (DnV) gjatë vëzhgimit të procesit të votimit dhe numërimit në ditën e zgjedhjeve për raundin e dytë për kryetarë të komunave, nuk ka evidentuar parregullsi serioze apo mospërfillje të procedurave zgjedhore të cilat mund të dëmtonin procesin apo të devijonin votën e qytetarëve. Konstatimet tona janë konfirmuar edhe gjatë pranimit të kutive të votimit dhe procedimit në mënyrë të rregullt të Formularëve të Përputhjes së të Dhënave dhe Rezultateve në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR)”, thuhet në komunikatë.

Për DnV-në, ky vendim i PZAP-së është i habitshëm. Sipas tyre edhe pse në disa vende praktikohet rinumërimi në rast të diferencës së ngushtë të rezultateve, një praktikë të tillë nuk e parasheh legjislacioni i Kosovës

“Vendimet pa bazë të mjaftueshme mund të cenojnë integritetin e zgjedhjeve, të cilat nga të gjithë akterët u cilësua si ndër proceset më të mira zgjedhore në Kosovë”, thuhet ndër të tjera..

DnV u bënë thirrje subjekteve politike të përfshira në këtë proces që të përmbahen nga gjuha e urrejtjes dhe kontestimit të procesit zgjedhor dhe gjithashtu të mos ushtrojnë presion ndaj institucioneve përgjegjëse për menaxhimin dhe zbatimin e vendimeve. Në anën tjetër subjektet politike duke dërguar vëzhguesit e tyre në procesin e rinumërimit do të kontribuojnë që ky proces të ketë transparencë dhe legjitimitet./Lajmi.net/