DnV shpall rezultatin, PDK-ja fituese e zgjedhjeve nacionale 2014

Pas numërimit të mbi 90 për qind të numërimit të votave, organizata e OJQ-ve Demokracia në Veprim, ka shpallur fituese Partinë Demokratike të Kosovës.

Lajme

09/06/2014 00:50

Pas Partisë Demokratike të Kosovës, me 29.9 për qind të votave, radhitet Lidhja Demokratike e Kosovës, me 26.3 për qind të votave, dhe Lëvizja Vetëvendosje me 13.9 për qind të votave të fituara.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka fituar 10.1 për qind, kurse Nisma për Kosovën 5 për qind.

Për shumëkënd nuk paraqet edhe aq befasi, por për Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës të Behgjet Pacollit rezultati sigurisht është një befasi e pakëndshme, pasi ky subjekt politik nuk e arriti as pragun zgjedhor.

As Beogradi me siguri nuk është i kënaqur me rezultatin e Lista Srpska, e cila mezi arriti të sigurojë 2.5 për qind të votave.

Nuk ka dyshim që rezultatet e publikuara të DnV, ndonëse jozyrtare, janë pothuaj 100 për qind të sakta dhe se këtë raport ndërmjet forcave politike nuk mund ta ndryshojë as Komisioni Qendror Zgjedhor, i cili i jep rezultatet me vonesë . Pos kësaj, do të ketë edhe vota të tjera që janë dhënë me kusht, si dhe ato të dërguara me postë, por numri i përgjithshëm i tyre është shumë i vogël për të bërë farë ndryshimesh thelbësore.