DnV: Në dy-tre qendra në Skenderaj po mbushen kutitë, Policia e demanton

Demokracia në Veprim (DnV) gjatë një konference për shtyp, ka bërë të ditur se në “dy-tre” qendra vendvotimi në Skenderaj ka filluar mbushja e kutive, mirëpo lajmi është mohuar menjëherë nga Policia e Kosovës. 

Lajme

08/06/2014 19:32

Selmanaj nga DNV, ka thënë se rreth 29 për qind e votuesve kanë votuar deri në ora 16:00 dhje se gjatë këtij procesi ka pasur edhe një sërë incidentesh të vogla në disa vendvotime.

“Kemi informata se në dy-tre qendra në Komunën e Skenderaj ka filluar qasja e mbushjes së kutive të votimeve, por për shkak të sigurisë së vëzhguesve tanë, nuk po i bëjmë të ditur qendrat e votimit. I bëjmë thirrje Prokurorisë së Shtetit dhe organeve të tjera të shkojnë të evidentojnë rastin dhe të largojnë vëzhguesit tanë”, ka thënë Selmanaj.

DNV po ashtu raporton se në Drenas është lejuar që një person të votoj edhe pse llamba ultravjollcë ka dëshmuar se ai ka votuar më parë.

Po ashtu një komisioner i PDK-së në Mitrovicë ka kërkuar që vëllai i tij të votoj dy herë, por që ky person është marrë në Polici dhe më pas është lejuar që të kthehet sërish në vendvotim dhe të vazhdojë punën e tij.

DNV vlerëson se gjendja në komunat veriore është e qetë, por dalja në votim është e vogël.

Por lidhur me njoftimin e DnV-së se në “dy-tre” qendra vendvotimi në Skenderaj ka filluar mbushja e kutive, ka reaguar Policia e Kosovës.

 Baki Kelani, zëdhënës i Policisë së Kosovës, tha për lajmi.net, se pas verifikimit për një gjë të tillë, ka dalë se informatat që ka DnV rreth këtij rasi, nuk janë të vërteta.

“Ka pas një informatë të se një gjë e tillë kanë ndodh në fshatin Açarevë, por pas verifikimit ka dalë që nuk është e vërtetë”, ka thënë Kelani.