“Djemtë e shpellës” tani do të mbyllen në një kamp budist

Trajtimi në spital nuk mjafton për djemtë e shpëtuar nga guva e përmbytur në Tailandë, ku mbetën të bllokuar për gati dy javë. Trajtimi shpirtëror është i nevojshëm gjithashtu për të miturit që i shpëtuan vdekjes falë një solidariteti ndërkombëtar dhe sakrificash të jashtëzakonshme.

Bota

24/07/2018 20:16

Por mbi të gjitha, ata kanë një detyrim moral, ndaj dhe 11 prej fëmijëve do të hyjnë për nëntë ditë në një tempull budist, për të treguar falënderimet e tyre e për të respektuar marinsin që humbi jetën gjatë operacionit të shpëtimit.

Kokat do t’u qethen, ndërsa kohën e kaluar aty brenda do ta shfrytëzojnë për atë që konsiderohet një pastrim shpirtëror, traditë e hershme vendase, e rezervuar personave të cilët kalojnë nëpër moment vështirësish të mëdha.

Njëri prej djemve nuk do të bëhet pjesë e ritit, sepse është i krishterë. Duhet të kalojnë ca kohë në manastir është për të mirën e tyre, thotë gjyshi i njërit prej djemve të shpëtuar, Seewad Sompiangjai. Për ta, është sikur të kenë vdekur e të jenë ringjallur përsëri.

Urdhrat e murgut do t`i marrë edhe trajneri, i vetmi i rritur që ishte me ekipin e futbollit të fëmijëve, ndërsa eksploronin shpellat Tham Luang në veri të vendit, kur përmbytjet e papritura i bllokuan në një guvë për ditë të tëra, përcjell TCh.

Ekipe specialistësh jo vetëm vendas, por edhe të huaj, u angazhuan maksimalisht për nxjerrjen e tyre, një mision që fillimisht u duk thuajse i pamundur, por në fund u arrit të reliazohej me sukses, edhe pse përpjekjet dramatike të shpëtimit i kushtuan jetën njërit prej zhytësve.