Dje Memli, Sot Isa

Isa Mustafa gjatë javës premtoi Pishinë Olimpike në Prishtinë. Memli Krasniqi pohon se ky ishte një projekt i tij, i cili tash po “huazohet”. Thotë se dy vjet më parë ka kërkuar nga Komuna parcelë për ta ndërtuar Pishinën Olimpike dhe është injoruar tërësisht.

Lajme

14/10/2013 05:54

Aktualisht, një Pishinë Olimpike në Prishtinë është në nivelin e idesë dhe premtimit. Realisht, mbase, tashmë ka mundur të jetë projekt në përfundim e sipër.

Isa Mustafa, i cili është në garë për mandatin e tretë si Kryetar i Prishtinës, në vijim të fushatës së tij për zgjedhjet e 3 nëntorit, një javë më parë, ka deklaruar se ka në plan ndërtimin e një Pishine Olimpike.

Në një aktivitet të organizuar, ai shkoi në Gërmi dhe nga aty lansoi këtë lajm – i cili e ka indinjuar Ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqin.

“Një investim i dobishëm do të jetë ndërtimi i Pishinës Olimpike, këtu në Gërmi. I kemi bërë të gjitha përgatitjet, është bërë projekti dhe mbetet që tani të sigurohet vetëm buxheti inicial, në mënyrë që vitin e ardhshëm të nisë ndërtimi i saj”, ka deklaruar Isa Mustafa.

Kur e ka dëgjuar këtë Ministri Memli Krasniqi, ka reaguar në Twitter, duke thënë se kjo është një “ide e huazuar” prej tij.

Në një bisedë për lajmi.net, Ministri Krasniqi e quan të pakuptimtë që sot Isa Mustafa premton një projekt, të cilin ai thotë ta ketë paraparë tash e dy vjet.

“Ka dy vjet që unë e kam paraparë projektin për Pishinën Olimpike. Madje, edhe me buxhet të ndarë në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.”

“I kam bërë kërkesë pikërisht Kryetarit Mustafa dhe Komunës që ai drejton, që të na ndajë një parcelë për ndërtimin e këtij objekti, i cili do të ishte në shfrytëzim të qytetarëve të Prishtinës, por edhe të notarëve të Kosovës. Nuk kemi marrë përgjigje.”

“Pas këtyre viteve, që ne jemi injoruar totalisht, siç jemi injoruar edhe për shumë projekte të tjera, unë nuk kam se si të mos mendoj që z. Mustafa këtë ide, këtë projekt, e ka vjedhur prej nesh, meqë ne e kemi prezantuar.”

“Ju mund t’i shihni letrat që ne kemi dërguar dhe nuk kemi marrë përgjigje asnjëherë nga Komuna.”

“Unë jo vetëm që kam kërkuar përgjigje në rrugë zyrtare. Por, edhe kur ka rastisur të takohemi dhe i kemi ngritur këto çështje, kam kërkuar që të ketë një përgjigje. Asnjëherë, për shumicën e projekteve, përgjigje pozitive nuk kemi marrë. Në shumicën e rasteve kemi qenë të injoruar totalisht si institucion. Përkundër faktit që edhe me Ligj parashihet që të kthehet përgjigja brenda një afati të caktuar.”

Abdullah Hoti, Nënkryetar i Komunës së Prishtinës, nuk është në dijeni që në Zyrat e Komunës ka shkuar një kërkesë nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, për ndarje të parcelës ku do të ndërtohej Pishina Olimpike.

“Nuk jam në dijeni se ka pasur ndonjëherë kërkesë nga Ministria e Kulturës për lokacion për Pishinë Olimpike”, ka thënë Hoti për lajmi.net.

Ai, madje, ka hedhur poshtë edhe mundësinë që një projekt i tillë të jetë paraparë në Buxhetin e Ministrisë që drejton Memli Krasniqi.

“Pishina Olimpike asnjëherë nuk ka qenë e paraparë në Buxhetin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Si mund të ketë kërkuar lokacion Ministri, kur nuk e ka buthtuar këtë Pishinë?”.

Ministri Krasniqi e thotë të kundërtën.

“Unë i kam ndarë mjetet për Pishinën Olimpike. Unë e kam futur këtë projekt në tabelat buxhetore të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, për herë të parë.”

Abdullah Hotin e demanton Buxheti i Kosovës për vitin 2013.

Në tabelën buxhetore, në faqen 14 të tij, i cili mund të shihet

Sidoqoftë, Nënkryetari i Komunës së Prishtinës ka insistuar se ndërtimi i Pishinës Olimpike nuk është ide e vjedhur.

“Mendoj se nuk ka asnjë kuptim deklarimi i Ministrit te Kulturës se Komuna e Prishtinës e paska vjedhur idenë e tij, kur kjo ide kurrë nuk është bërë publike dhe nuk i është ofruar Komunës së Prishtinës.”

Ai ka thënë se Komuna e Prishtinës e ka përgatitur projektin për Pishinën Olimpike me standarde adekuate për gara ndërkombëtare, që do të ndërtohet mbi pishinën ekzistuese në Gërmi.

“Projekti është tenderuar dhe shpejt pritet të zgjidhet kompania që do të ndërtojë Pishinën”.

Ministri Memli Krasniqi, tutje pohon se Komuna e Prishtinës e ka injoruar edhe për projekte të tjera.

“Ne kemi kërkuar nga Komuna edhe për ndërtimin e Qendrës Rinore në Prishtinë, qysh në fillim të vitit.”

“Ne po na rrezikohen mjetet në suficit, për shkak se Komuna e Prishtinës nuk na e ndan një hapësirë për të rinjtë e Prishtinës.”

“Këto nuk janë ndërtesa qeveritare, por ndërtesa për qytetarët. Qendra Rinore është për të rinjtë. Pishina është për sportistët dhe për të tjerët. Muzeu i Arti Bashkëkohor është për të gjithë artdashësit dhe artistët.”

“Por, për dy vjet, nuk na kanë dhënë përgjigje, deri para një periudhe kur na kanë thënë që nuk mund ta miratojnë kërkesën tonë për parcelë brenda Kampusit të Universitetit të Prishtinës. Dhe, po ashtu, s’na ka dhënë përgjigje edhe për disa projekte të tjera. Të gjitha investime kapitale që janë me rëndësi për qytetarët e Prishtinës.”

Sikur të miratohej kërkesa për tokë, para dy vjetësh, Memli Krasniqi pohon se këtë vit do të ishte e mundur që projekti i Pishinës Olimpike tashmë të ishte para përfundimit.

“Injorimi me të cilin jemi ballafaquar, pra moskomunikimi nga ana e Komunës, rrezikon që neve këto mjete të na shkojnë në suficit, meqë ne i kemi planifikuar për Pishinën Olimpike, duke shpresuar që Komuna do të ketë mirëkuptimin, në të mirën e qytetarëve të Prishtinës, dhe do të na e ndajë një parcelë të përshtatshme për ndërtimin e saj. Por, kjo nuk ndodhi”.

Ai thotë të mos e dijë arsyen pse Komuna e Prishtinës nuk i ka kthyer përgjigje. Por, mendon se e di që premtimi i fundit i Isa Mustafës është “hedhje hi syve” për qytetarët.

“Është indinjuese, sepse shihet qartazi se është një premtim i pavërtetë, një premtim ballon. Sikur të kishte vetëm një për qind të vërtetë në të, sikur Isa Mustafa të kishte vetëm një për qind dëshirën dhe qëllim për të bërë Pishinën Olimpike, ai do ta miratonte kërkesën tonë, sepse ne i kemi pasur mjetet e ndara për ta bërë këtë gjë.”

“Kështu që, është absolutisht qesharake që tash një projekt që ne kemi dashur ta realizojmë dhe e kemi fuqizuar, ai del e thotë se do ta bëjë vetë. Sikur të kishte dashur ta bënte, ka mundur ta bëjë edhe me mjete të Komunës. Por, s’ka pasur nevojë ta bëjë me mjetet e Komunës, sepse mjetet e Ministrisë kanë qenë në dispozicion. Por, thjesht, është vetëm një premtim elektoral, prej të cilit nuk ka asgjë.”