Djali i zyrtarit të vrarë të LDK-së fajëson edhe partinë e babait që nuk ia gjetën vrasësit

Në 17-vjetorin e vrasjes së zyrtarit të LDK-së, Ismet Rraci, djali i tij Astriti është shprehur i shqetësuar që edhe pas kaq shumë vitesh nuk është zbardhur asnjë vrasje e zyrtarëve të shtetit.

Lajme

24/04/2018 12:34

Astrit Rraci nuk ndan LDK-në kur fajëson institucionet për moszbardhjen e vrasjeve. Ai ka shkruar se “Deri më tani kanë kaluar shumë qeveri e parlamente me përbërje të ndryshme partiake, edhe përkundër faktit që asnjë vrasje politike nuk është zbardhur, kurrë nuk ka pasur as edhe ndonjë masë për të thirrur së paku në përgjegjësi organet kompetente të sigurisë e drejtësisë për joefikasitet”.

Ky është shkrimi i plotë i Rracit:

Kanë kaluar tashmë 17-të vite që ne si familje po kërkojmë të vërtetën rreth vrasjes së babës. Për familjen, atentati ndaj babës mbetet ende i pa ndriçuar, prandaj hetimet duhet të vazhdojnë ose të rishikohen aty ku kanë ngecur. Deri më tani prokuroria, hetuesia dhe drejtësia e Republikës së Kosovës ka dështuar të nxjerrin para gjyqit urdhërdhënësit dhe ekzekutorët e krimit. Shteti i Kosovës madje ka dështuar që së paku ta trajtoj rastin si atentat ndaj një zyrtari të saj. Të ju kujtoj, baba në momentin e vrasjes ka qenë duke shkuar në punë. Ai kishte pak kohë që ishte zgjedhur Kryetar i Komunës së Klinës, si bartës i listës nga ana e LDK-së, kryetar shumëvjeqar i Degës dhe anëtar i Këshillit Qëndror të saj.

Deri më tani kanë kaluar shumë qeveri e parlamente me përberje të ndryshme partiake, edhe përkundër faktit që asnjë vrasje politike nuk është zbardhur, kurrë nuk ka pasur as edhe ndonji masë për të thirrë së paku në përgjegjësi organet kompetente të sigurisë e drejtësisë për jo efikasitet. Ndoshta edhe mund të pajtohemi se një apo dy vrasje mund të mbesin të pa ndriçuara, por jo të gjitha?!