Djali i Meksit foto me cigare, shantazhuesi i merr 500 mijë lekë

Djali i ish deputetes socialiste në Shqipëri, Ermelinda Meksi është shantazhuar nga një 19 vjeçar, i cili i ka marrë atij 500 mijë lekë të vjetra, që të mos ja publikoj një foto ku 14 vjeçari shihet duke pirë cigare. 

Lajme

29/12/2014 12:05

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka marrë në dorën hetimin e dosjes, ku i akuzuar është Ilirjan Nezaj, 19 vjeç nga Kërrjana e Bajram Currit, me banim në Tiranë.

Lajmi është bërë i ditur për mediat dje nga burime të Prokurorisë së Tiranës si dhe nga Prokuroria e Krimeve të Rënda që ka regjistruar tashmë dosjen hetimore përkatëse, në të cilën është i akuzuar Ilirjan Nezaj 19 vjeç, ndërsa i dëmtuar është J. Meksi, 14 vjeç, banues në Tiranë.

I dëmtuari sipas burimeve të policisë dhe të Prokurorisë, është djali i Ermelinda Meksit, anëtare e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Nezaj akuzohet se i ka marrë djalit të ish- deputetes socialiste Ermelinda Meksi, një shumë parash prej rreth 500 mijë lekësh të vjetra si dhe një sasi bizhuterish. Paratë janë marrë nga Nezaj, në formën e një kërcënimi që ai i kishte bërë djalit të deputetes socialiste pasi ai kishte realizuar ca foto me cigare djalit 14 vjeçar.

Ky i fundit mësohet se kishte shitur disa bizhuteri të familjes për të siguruar paratë që i duheshin për të paguar shantazhuesin e tij. Ndërkaq i akuzuari tashmë po hetohet nën masës sigurie, pasi menjëherë pas denoncimit të dhënë nga i dëmtuari, nëpërmjet një kombinacioni policor në bashkëpunim me organin e akuzës ai u prangos dhe ndaj tij, u mor masa e sigurisë arrest me burg e dhënë nga Gjykata e Tiranës, ndaj Nezajt vetëm pak ditë pas arrestimit të tij.

Ngjarja mësohet se ka ndodhur në muajin shtator të këtij viti, kur nëpërmjet të shantazhit, ai kishte arritur t’i merrte djalit 14 vjeçar të Meksit një shumë prej 500 mijë lekësh. 

Menjëherë pasi ish- deputetja socialiste dhe aktualisht anëtare e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, ishte vënë në dijeni të shantazhit të kryer ndaj të birit, ajo depozitoi një kallëzim në Drejtorinë e Policisë së Tiranës e cila nisi hetimet për rastin, duke përdorur metoda speciale të hetimit, pasi më parë kishte marrë autorizimin përkatës nga organi i akuzës.

Pas hetimit paraprak policia konfirmoi dyshime te saj bazuar në kallëzimin e Meksit, ndërsa pas një kombinacioni, të policisë Nezaj u arrestua nga blutë në kushtet e flagrancës.

Sipas akuzës, djali 14 vjeçar ishte njohur me Nezajn me ndihmën e disa djemve të lagjes, ku dhe është fotografuar duke konsumuar një cigare. Këtë foto të kryera nga Nezaj, ai i ka përdorur ndaj adoleshentit 14 vjeçar, duke e kërcënuar.

Sipas burimeve të akuzës, ai mësohet se ka kërcënuar djalin 14 vjeçar se nëse nuk paguante shumën e parave të kërkuara ai do t’ia dërgonte fotot familjes së tij.

Në këto kushte J. Meksi është vënë nën presion. I ndodhur përballë kësaj situate dhe nga frika, adoleshenti mësohet se ka marrë disa marr bizhuteri të familjes së tij, duke i shitur dhe paratë në shumën 500 mijë lekë i ka dorëzuar të dyshuarit.

Pasi ka konstatuar mungesën e bizhuterive, familja ka dyshuar se ato janë marrë nga djali, i cili ka treguar dhe më pas se çfarë i kishte ndodhur dhe shantazhin që i kishte bërë Nezaj.

Menjëherë pas kësaj, Nezaj, u denoncua në policinë e Tiranës dhe më pas edhe u prangos nga policia.

Pas kallëzimit i riu nga Kërrnaja është arrestuar dhe ka pranuar krimin. Ngjarja për shkak të hetimit është mbajtur sekret nga policia dhe nga prokuroria.

Ndërkaq hetuesit e policisë së Tiranës referuan dosjen në prokurorinë e rrethit e cila mori deklarimet e palëve, ndërsa i dyshuari u la në arrest me burg pa afat nga gjykata e Tiranës, bazuar në kërkesën e prokurorit që hetoi çështjen, raporton Shekulli.