Dizajnuesi i muzikës

Lajmi.net: A keni pushuar hiç prej koncerteve të shumta që keni pasur gjatë sezonit të verës? Geti: Kam pushu pak, sa për me ia nisë sezonit tjetër të dimrit, që në fakt është shumë ma i lehtë se ai i verës, edhe pse dhe ky i dimrit është goxha sezon i lodhshëm – aeroplanë, rrugë,…

ShowBiz

08/10/2013 19:00

Lajmi.net: A keni pushuar hiç prej koncerteve të shumta që keni pasur gjatë sezonit të verës?

Geti: Kam pushu pak, sa për me ia nisë sezonit tjetër të dimrit, që në fakt është shumë ma i lehtë se ai i verës, edhe pse dhe ky i dimrit është goxha sezon i lodhshëm – aeroplanë, rrugë, pritje, pagjumësi si verës. Por, pushime kemi pasë shumë pak.

Lajmi.net: A ka qenë kjo verë më e ngarkuar se vitet e kaluara, pasi këtë herë keni pasur shumë projekte të reja?

Geti: Unë e kam pasë të ngarkuar edhe verës edhe dimrit, normal secila dallon prej tjetrës. Sivjet mundem me thanë lirshëm që kemi pasë koncerte gati çdo ditë. Për 2 muaj nuk e di a i kemi pasë 6 ditë të lira, kështu që ka qenë goxha e lodhshme. Destinacionet kanë qenë të ndryshme. Ka qenë ma e lodhshmja ndonjëherë.

Lajmi.net: Në projektin e fundit të këngës “E Nxonme”, teksti është për femra. A është kjo pse femrat e Prishtinës janë asisoj, apo është vetëm një hit tjetër?

Geti: Unë mendoj që secili artist e shpreh atë që dëshiron. Në këtë rast, unë kam dashtë me e shpreh një storie që ka të bëjë me dashurinë, ose diçka tjetër çkado që është ajo. Çkado që është te unë aktuale, e bëj, por nuk do të thotë që është gjithçka e vërtetë, edhe pse e vërtetë duhet me qenë. Nuk do të thotë që kjo duhet të më ndodh mu personalisht apo dikujt tjetër. Kjo është vetëm një diçka që unë e shoh, e kam pa, ose e kam dëgju, kështu që gjithmonë shkruaj në atë aspekt. Kjo ka qenë kënga e radhës që ka pasë me u publiku, edhe pse ma kanë përshpejtu  pak procedurën, për shkak se kemi pasë një publikim të demos. Sidoqoftë, jam prapë i kënaqun, besoj që i ka pëlqy edhe publikut.

Lajmi.net: A keni pasur eksperienca të tilla në të kaluarën që kanë të bëjnë me tekstin e këngës “E Nxonme”?

Geti: Eksperienca kam pasë. Si krejt meshkujt tjerë, edhe unë kam pasë eksperienca të ndryshme. Kjo ndoshta ka qenë më e vogla prej atyre, por nuk kisha me thanë që diçka e llojit të tillë më ka ndodhë mu personalisht.

Lajmi.net: Kush po kujdeset për stilin tuaj, sepse gjithmonë jeni në trend me veshje, si në video-spote ashtu edhe në jetë të përditshme?

Geti: Unë.

Lajmi.net: A keni menduar ndonjëherë të realizoni një koleksion të rrobave, të bashkëpunoni me ndonjë dizajner të Kosovës?

Geti: Po. Kemi mendu, kemi bisedu shumë rreth kësaj. Në fakt, unë edhe e kam studiu dizajnin grafik, e du dizajnin, e kam si pjesë të dytë prej muzikës. Por, nuk kam kohë me u marrë me atë punë. Unë vetëm e du atë punë dhe ndoshta ndonjëherë e kisha ba nji linjë, diçka që herë pas here isha marrë me të. Por, kam diskutu me ata njerëz që janë ma aktualë në këtë punë. Nëse ka me pasë diçka në të ardhmen, patjetër që ka me u ba publike, e besoj që ka me qenë diçka shumë e mirë.

Lajmi.net: Në shumë tekste i përmendni firmat botërore si Gucci, Prada, Versasce? Pse i përmendni aq shpesh?

Geti: Këto janë tekste që unë i kam shkru shumë ma herët. Unë shkruj gjithçka që  ka të bëjë me jetën time personale, me gjërat që më rrethojnë, me gjërat që janë në trend në atë moment. Gjithmonë në tekst mundohem mos me i përdor senet e njëjta, por asnjihere mos me i ikë realitetit që më rrethon. Nëse e mbaj gjithmonë mjekrën në këtë mënyrë, nuk muj me e ndryshu.

Lajmi.net: A merreni hiç me sport? A e përzgjidhni ushqimin?

Geti: Po, e kam me periudha. Por punën e gym’it e kam marrë pak ma seriozisht. Gjatë verës nuk kam mujt me shku, tash kam fillu. Po shkoj rregullisht. Sa për sport, merrem shumë rrallë, ndonjëherë luj basketboll. Sa për ushqim, nuk është që ruhem non-stop. E kam nji organizëm goxha interesant, shumë shpejt dobësohem, shumë shpejt trashem, kështu që mundohem sadopak me e mbajtë njifarë balanci. Jo dieta, por si çdo njeri që e di pak a shumë organizmin e vet.

Lajmi.net: Pse nuk merrni pjesë në festivale? A mendoni që nuk ju vlerëson juria mirë, aq sa ju vlerëson publiku?

Geti: Mendoj se festivalet janë ma shumë për me promovu artista. Kur e kam pas kohën e festivaleve, nuk kam marrë pjesë. E kam kalu shumë ma mirë se me pas marrë pjesë në festivale. Tash, edhe nuk e kam kohën për atë punë. Nuk kam asgja kundër, absolutisht, përkundrazi është nji promovim shumë i mirë për artistat e rinj. Por, me u marrë unë personalisht me festivale, është humbje kohe. Nëse në të ardhmen kisha shku në festival, kisha shku vetëm për qejf, se përndryshe jo.

Lajmi.net: Çka mendoni për artistët e rinj në hip-hop?

Geti: Në vendin tonë ma shumë ka vetura, i kisha hekë disa vetura, se po bëhet shumë tollovi në qytet, por repera jo, ose talentë në çfarëdo zhanri të muzikës, ka nevojë. Sa më shumë që ka, aq ma mirë, sidomos në një vend të vogël në të cilin jetojmë. Vetëm që duhet me u koncentru ma shumë në kualitet se në sasi, sepse kohëve të fundit po ka ma shumë sasi se kualitet. Punën e reperave më shumë e shoh prej vetes. Sa shumë unë kam energji, e gjithmonë fillon me u shtu. Ma shume kam tash energji sesa kur i kam pas 17 vjet. Dallon shumë prej kohës kur kemi këndu ne, sepse reperat e sotëm e kanë 100% ma lehtë.

Lajmi.net: Pse vendosët ta publikoni këngën “Ma i madhi ne vend 2”, me një tekst pak më  ndryshe?

Geti: Kënga nuk është e dedikume për askënd. Unë nuk e kam bombardu askënd, thjesht vetëm kam vendos barriera rreth vetes. Kam dashtë me tregu ku është zona e ndalume, deri aty mundet me ardhë kush dëshiron, përtej asaj nuk mundet me hy. Thjesht, kjo është vetëm mbrojte, nuk është dedikim ndaj dikujt, atë s’e bëj as nuk e kam ba asnjihere. Nuk mendoj që e meriton dikush me ja ba ndonjë dedikim. Nuk kam dëshirë me i ba reklamë askujt. Sado e keqe apo e mire që është, nëse përmendet ndonji emër, ajo quhet reklamë, e unë këtë nuk e bëj.

Lajmi.net: A keni ndonjë strategji ekstra për mbijetesë, nëse nuk ishit marrë me muzikë dhe kompozim?

Geti: Ato janë andrra të fëmijërisë. Njeri mendon kur është në klasë të parë, nëse ma kishin ba pyetjen, kisha me u përgjigj: “Dua të bëhem doktor ose diçka tjetër”. Por, tani unë nuk mund të bëj më diçka tjetër. Edhe pse nuk i dihet kurrë, sepse koha e bën të veten, gjithçka mundet me ndryshu. Por, mendoj që gjithmonë ka me qenë diçka me muzikë me showbiznis. Është punë që e bëj me shumë dëshirë, prej fillimit deri tash.

Lajmi.net: Jeni aktiv në Twitter, a komunikoni shumë me fansa?

Geti: Po, është e vërtetë që e përdori vetëm Twitter. Facebook nuk kam. E përdor veç për shkak të fansave. E bëj retweet atë që kanë dëshirë fansat, ajo që më pëlqen mu. Përndryshe, nëse unë kisha me u përgjigj në secilën pyetje, besoj që nuk kisha me qenë ai, e as fansat nuk kishin me më dashtë. E kam marrë një mesazh: “Jam fans i yti, kisha pas dëshirë me pi një kafe me ty”. Nuk është që nuk kam dëshirë me pi kafe me fansat e mi, absolutisht. Por, nëse unë kisha dalë me pi një kafe me secilin fans që ka dëshirë, unë nuk kisha pas kohë as me ba muzikë, as nuk kisha pas fansa. Nuk është ai problemi. Njerëzit që me njohin, e dinë pak a shumë se çfarë tipi jam, ndonjëherë la përshtypje që e kam shumë mendjen e madhe, apo si një njeri që është shumë zor me m’u afru, nuk është ashtu, përkundrazi. Unë e kam kënaqësinë, edhe për njerëzit që nuk më dojnë, nuk e kam problem, ju flas edhe atyne. Por, gjithmonë me arsye, në vendin e duhur, në kohën e duhur.

Lajmi.net: A  keni  plane për ndonjë bashkëpunim, përpos brenda labelit BabaStars?

Geti: E vërteta është që kohëve të fundit gjithmonë jam mundu me ju shmang bashkëpunimeve, edhe të gjitha gjërat që kanë të bëjnë jashtë Baba Stars’ave. Shumë kolegë kanë kërku me pasë bashkëpunim, por unë nuk kam qenë i gatshëm. Ne e kemi një plan biznesi që e realizojmë për një periudhë goxha të gjatë dhe nuk dal nga ai plan, sepse pastaj mund të dal jashtë binareve dhe nuk mund të kontrolloj asgjë. Por, përderisa nuk kam plane, pse jo. Në fund të fundit, njerëzve nuk ju intereson kush këndon, njerëzve ju intereson kënga me qenë shumë e mirë, projekti final me qenë i suksesshëm, kjo është shumë me rëndësi.

Lajmi.net: Sa jeni i kënaqur me projektet që realizohen nga labeli Baba Stars, pasi janë konsideruar të suksesshme bashkëpunimet si ajo e Tunës me Cozmanin?

Geti: Secila e ka rëndësinë e vet dhe momentin e vet. Ka shumë gjëra që na dalin jashtë kontrollit, sepse jemi shumë veta. Sidoqoftë, në përgjithësi, jemi shumë të kënaqun, deri tash puna ka ecë  shumë mirë. Sidomos projektet tona të verës, si “Po t’shoh përmas” edhe “Fenix”  lirshëm mund të them se kanë qenë edhe më të suksesshmet në treg.