Diversiteti dhe trashëgimia hebraike

Kosova kremton diversitetin dhe trashëgiminë hebraike, mbledhë liderë të shquar për të reflektuar mbi rëndësinë e dialogut ndërfetar.

Lajme

12/12/2013 17:02

Në kuadër të Nismës Interfaith Kosovo, Ministria e Jashtme e Kosovës kremtoi trashëgiminë e gjatë hebraike të Kosovës me shfaqjen e një filmi dhe një panel diskutimi.

Jakov Sedlar, regjisor dhe producent i njohur kroat, shfaqi premierën e filmit të tij dokumentar në Prishtinë. Filmi i titulluar “Fati nuk më lejoi të largohesha” (“Fate did not let me go”) rrëfen për ngjarjen e vërtetë për letrën e një nëne hebreje që ia kishte kushtuar të birit të saj, vetëm disa ditë para vdekjes së saj në një kamp përqendrimi më 1942.

Rrëfimi i sedlarit, i frymëzuar nga letra e Valli Ollendorff për djalin e saj Ulrich, tregon për “dashurinë e pakushtëzuar të një nëne për fëmijën e saj, por edhe për faljen dhe besimin në Zot”.

Jakov Sedlar është i shoqëruar në këtë vizitë në Prishtinë nga nipi i Valli Ollendorff, z. Stephen Ollendorff, i cili është gjithashtu themelues dhe drejtor i Qendrës Ollendorff për Mirëkuptim Fetar dhe Njerëzor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ministria e Punëve të Jashtme, me mbështetjen e Këshillit Britanik, po ashtu organizoi një panel diskutimi mbi “Trashëgiminë hebraike në Kosovë dhe rëndësinë e dialogut ndërfetar”, ku në mesin e panelistëve ishin z. Sedlar dhe z. Ollendorff, së bashku me zëvendësministrin e jashtëm të Kosovës, Petrit Selimi, kryerabinin e Kroacisë, Luciano Moshe Prelevic, dhe rabinin Yeshayahu Hollander, i cili është redaktor i shkrimeve të shenjta të judaizmit – “East-to Read Talmud”.

Rabbi Hollander, nga Tel Aviv, tha se feja është një faktor i madh në motivimin e popujve.

“Prandaj, feja duhet të jetë një faktor i madh në bërjen e paqes. Qeveritë mund t’i nxisin njerëzit të bëjnë luftëra, dhe qeveritë mund të nënshkruajnë traktate paqeje, por ashtu si njerëzit duhet të jenë të bindur se është e drejtë të bëhet luftë – po ashtu njerëzit duhet të jenë të bindur se është e drejtë për të bërë paqe… se nisja e luftës është kundër dëshirës së Perëndisë”.

“Kështu mirëkuptimi dhe bashkëpunimi ndërfetar është një element i domosdoshëm në diplomacinë e shekullit të 21-të.”

Zëvendësministri i Jashtëm i Republikës së Kosovës, Petrit Selimi, i cili është themelues i Interfaith Kosovo, theksoi rëndësinë e organizimit të ngjarjeve të cilat haptazi çmojnë dhe pranojnë diversitetin, duke kontribuar drejt një Kosove gjithëpërfshirëse dhe të hapur.

Gjatë debatit, Zëvendësministri i Jashtëm, Petrit Selimi, tha se Kosova është një nga vendet më të hapura në botë që respekton të drejtat e besimtarëve dhe jobesimtarëve.

“Edhe pse mbi 90 për qind e popullsisë janë myslimanë, Kosova përbëhet nga një larmi kulturash pjesëtarët e të cileve kanë jetuar për shekuj në paqe. Për më tepër, shqiptarët në Kosovë dhe në Shqipëri kanë marrë lëvdata nga të gjitha vendet e botës për bujarinë e tyre në shpëtimin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ka pasur më shumë hebrenj në trojet shqiptare në fund të luftës se sa para saj.”

Regjisori kroat, Jakov Sedlar, tha bota duhet të dëgjojë më shumë për heroizmin e shqiptarëve në mbrojtjen e hebrenjve gjatë Holokaustit.

“Shqiptarët kanë shumëçka për të eksportuar në mbarë botën sa i përket tolerancës dhe dialogut ndërfetar. Të gjithë duhet të promovojmë ide të reja, njerëz të rinj dhe solidaritet mes nesh. Gjithashtu, përmes artit mund të vendosim një gur të vogël në dialogun ndërfetar.”

Gjatë vizitës së tij në Prishtinë, Jakov Sedlar gjithashtu shprehu synimin e tij për të bërë një film dokumentar për hebrenjtë dhe trashëgiminë e tyre në Kosovë.

Ngjarja e pa rrëfyer e shpëtimit të popullit hebre nga shqiptarët në Kosovë dhe Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore po bëhet gjithnjë e më e njohur. Kjo ngjarje është prezantuar së fundi në filmin dokumentar, “Besa”, që përshkruan guximin e shqiptarëve dhe bashkëpunimin ndërfetar.

“Kosova është një shtet i ri dhe bota ende ka për të mësuar shumë rreth juve. Është e rëndësishme për ju që të flitet për mikpritjen tradicionale kosovare dhe për kosovarët të cilët mirëpritën njerëz të popujve të shumtë përgjatë shekujve, duke përfshirë hebrenjtë.”

Kryerabini i Kroacisë, Luciano Moshe Prelevic, u përqendruar në nevojën që rajoni i gjerë i Ballkanit të ndjekë shembullin e Kosovës të promovimit të dialogut dhe bashkëpunimit ndërfetar.

“Feja përbëhet nga përfaqësues moralë dhe të përgjegjshëm të shoqërisë, të cilët besojnë në Zot dhe e adhurojnë Perëndinë. Prijësit fetarë duhet të qëndrojnë larg nga politika dhe ata duhet të kundërshtojnë ekstremizmin. Jam dakord me panelistët tjerë që kemi nevojë për më shumë dialog, e më pak monolog, dhe duhet të përqendrohemi më tepër në dialogun brenda feve.”

Ndryshe nisma Interfaith Kosovo paraqet një qasje të diplomacisë së përqendruar në inovacion përmes shoqërisë civile.