Dita që Lionel Messi vendosi të qëndrojë në Barcelonë

Lionel Messi sot është model i shumë fëmijëve në botë, që dëshirojnë të bëhen ose t’i arrijnë sukseset e tij.

Sport

19/03/2018 17:44

Por, për të ardhur deri në këtë ditë, pesë herë fituesi i Topit të Artë ka pas një rrugë të vështirë.

Gjithçka filloi kur ai ishte në fazën testuese te Barcelona si një fëmijë 13 vjeçar. Në atë kohë, Messi shoqërohej nga e gjithë familja e tij në Barcelonë, por me kalimin e kohës kishte për të marrë një vendim të vështirë për moshën e tij, e që doli të jetë vendimi më i rëndësishëm në karrierën e tij.

“Vëllezërit e mi ishin më të mëdhenj, kishin gjërat e tyre në Argjentinë, dëshironin që të ktheheshin”, ka deklaruar Messi gjatë një interviste për mediet amerikane.

“Ata u kthyen, pastaj edhe motra ime e vogël me nënën, kështu që në Barcelonë qëndruam vetëm unë dhe babai”.

Pas kësaj, kishte ardhur dilema e madhe për Leon, kur u pyet nga babai se cilët do të jenë hapat për të ardhmen, duke ia lënë atij në dorë nëse dëshiron të qëndrojë te Barcelona apo të rikthehen në shtëpinë e tyre në Argjentinë.

“I thash atij që dua të qëndroj”, ka shtuar Messi./Lajmi.net/