Dita e parë e qëndresës!

Mëngjesi i 30 dhjetorit të vitit 1991, ishte dita kur forca të mëdha policore serbe ia kishin mësy Jasharëve për të burgosur Adem Jasharin dhe anëtarët e armatosur të formacionit të tij.

Lajme

30/12/2014 09:39

Por qëndresa në familjen e Shaban Jasharit dhe formacionit të armatosur të Adem Jasharit, në historinë më të re të Kosovës paralajmëroi fuqishëm daljen në skenë të organizimit më të lartë kombëtar, politik e ushtarak për çlirimin e Kosovës.

Shaban Jashari dashurinë për komb e atdhe e kishte shfaqur që në vitet 50 të shekullit të kaluar, por rezistenca më serioze, më publike e familjes Jashari që do të marr dhenë ndodh në dhjetor të vitit 1991, kur me armë u ndeshën me forcat policore serbe.

Në mëngjesin e 30 dhjetorit, forca të mëdha policore serbe ia kishin mësy Jasharëve për të burgosur Adem Jasharin dhe formacionin e tij të armatosur.

Në histori ka edhe ngjarje të rastësishme, por kjo e familjes Jashari, për Adem Jasharin dhe formacionin e tij të armatosur nuk ishte rastësi, ishte ngjarje e pritur, e përgatitur, e planifikuar dhe e realizuar suksesshëm.

Nga 30 dhjetori i vitit 1991 lagjen e Jasharëve, e veçanërisht familja e Shaban Jasharit vazhdimisht është vëzhguar nga forcat policore dhe ushtarake të armikut, por Jasharët vazhdonin të jetonin me krenari në shtëpitë e tyre, në pronën e tyre, në Kosovën e tyre.

Gjatë gjithë kësaj kohe, me ndonjë mungesë të shkurtër, familjes Jashari dhe Prekazit i bënte roje vigjilente formacioni i armatosur i Adem Jasharit. Në Prekaz asgjë nuk po zhvillohej spontanisht apo rastësisht. Familja Jashari vazhdonte jetën nën shtetrrethim të plotë, por e bindur në fitore.

Adem Jashari vite më parë ishte i organizuar në Lëvizjen Kombëtare, në Lëvizjen Popullore për Republikën e Kosovës më vonë të quajtur LPK.

Në fillim të viteve ’90, i kishte mbaruar përgatitjet ushtarake në Shqipëri me qëllim formimin e Ushtrisë së Kosovës për çlirimin dhe bashkimin e Kosovës dhe viseve tjera me Shqipërinë.

Këtij qëllimi Adem Jashari dhe familja e tij do t’i qëndrojnë besnik e konsekuent deri në rënien e tyre të lavdishme me 5, 6 e 7 mars 1998. /KosovaPress/