Dita e kijametit – Lajmi.net
Dita e kijametit
Autori: Lajmi.net Opinion 11:19, 4 May 2017
Do të ishte një befasi e madhe për të mirë, nëse në Kosovë dhe në Shqipëri, zgjedhjet do të mbahen si duhet, dhe nëse rezultati i tyre nuk do të mëdyshet prej humbësve.
Nga Blerim Shala
 
Kemi të bëjmë me një diskurs apokaliptik në skenën politike të Shqipërisë. Ditëve dhe javëve të fundit. Politikanët andejpari, mbi të gjithë, ata që janë në ballë të opozitës, kanë vendour një lidhje të prerë, të padiskutueshme, në mes të mënyrës se si do të mbahen zgjedhjet e përgjithshme (të caktuara për 18 qershor), dhe thyerjeve me përmasa dramatike në politikën dhe shoqërinë shqiptare.
Është ky një fjalor që aspak nuk përkon me politikën në një demokraci.
Duket që qytetarët e Shqipërisë, në masë të madhe, nuk i marrin më seriozisht politikanët kryesorë të vendit. Po të ishte ndryshe, ata s’do mend që do t’i bënin gati valixhet dhe pasi ata kanë mundësi që të udhëtojnë pa Viza në Evropë, periudhën prej fillimit të qershorit e deri në fund të tij, kur janë paralajmërimet për ‘Ditë të Kijametit’, do t’i kalonin diku në një vend të sigurtë. Pastaj, kur të përfundojë gjithçka, kur do të kryheshin votimet, dhe kur do të dihej se kush do ta formojë Qeverinë e re, do të mund të ktheheshin prapa.
Por, nuk ka shenja që do të ketë ‘dyndje’ të shqiptarëve të tmerruar kah Perëndimi.
Nuk do të ketë, me gjasë, as mësymje të madhe kah kutitë e votimit.
Qyetarët e rëndomtë, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, nuk kanë më farë entuziazmi për zgjedhje. Më para, krejt në fillet e demokracisë, si këndej ashtu edhe andej, mendohej dhe besohej që një votim i vetëm, apo, një ditë zgjedhore që zgjatë jo më shumë se 12 orë, mund të ndryshojë thelbësisht fatin e një shoqërie a të një vendi. Natyrisht, pa zgjedhje demokratike nuk mund të ketë gjë prej gjëje. Pa legjitimim të pushtetit, nuk dihen adresat e punës dhe përgjegjësisë. Por vlera e këtij fletëvotimi, siç është kuptuar më pas, është në varëshmëri me kualitetin e ofruar politik, me ndryshimet që në një shoqëri duhet të ndodhin çdo ditë, me zhvillimin ekonomik, me politikat sociale, etj.etj.
Por, ne nuk jemi të parët që i kuptojmë këto procese. Entuziazmi i madh ka mbizotëruar kudo në ish-Kampin Komunist, menjëherë pas ndryshimit të sistemit politik, e më pas, ai është zëvëndësuar me zhgënjim, me apati, me dalje të ulët në zgjedhje. Ndërsa ndryshimi i vetëm i gjendjes në një vend, në një politikë, në një sistem demokratik, çfarë padyshim mbizotëron në Shqipëri dhe në Kosovë, është ai që vjen përmes votimit, nëpërmjet zgjedhjeve.
Por diskursi apokaliptik, që nuk ka si të mos ngërthejë në vete qasjen revolucionare të përmbysjes së madhe, nuk i njeh zgjedhjet si mjet për sendërtimin e qëllimit suprem: Atë të ndryshimit të një vendi, për të mirë.  
Ai i ndanë në dy kampe të mëdha, të mirët dhe të këqijtë, ata që meritojnë ‘shpëtimin’ dhe të tjerët që duhet të ndëshkohen, jo vetëm me një disfatë politike.
Kosova nuk ka mbetë aspak prapa Shqipërisë në përqafimin e këtij diskursi, sidomos prej vitit 2015-të e këndej. Megjithëse ka ndodhë kohëve të fundit zbehja e tij, ai vazhdon të jetë i pranishëm këndejpari, qoftë edhe në mënyrën se si i trajtojmë temat kryesore politike të këtij vendi, veçmas kur bëhet fjalë për Marrëveshjen për shenjimin e kufirit në mes të Kosovës dhe Malit të Zi. Duket që një tjetër ‘Ditë kijameti’ në politikën shqiptare, kësaj here në Kosovë, do të jetë ajo ditë kur do të votohet në Kuvendin e Kosovës për këtë Marrëveshje. Nëse diçka e tillë do të ndodhë fare.
Kjo atmosferë që ka marrë hov në politikën në Kosovë dhe në Shqipëri, nuk paralajmëron gjë të mirë për zgjedhjet që i presin këto dy demokraci ende të brishta. Në Shqipëri gjithsesi do të ketë zgjedhje brenda pak javësh a muajsh  (edhe nëse do të ketë shtyrje), në Kosovë mund të ketë zgjedhje poashtu së shpejti, apo edhe më vonë.
Nëse kthehemi prapa, në vitet 2013-të dhe 2014-të, kur u patën mbajtur zgjedhjet në Shqipëri dhe në Kosovë, krahasimi me situatën aktuale politike flet shumë në dobi të rrethanave të atëhershme. Thjeshtë, ishte një situatë kur pushteti synohej të sigurohej me ofertë më të mirë politike, ekonomike dhe sociale.
Do të ishte një befasi e madhe, nëse në Kosovë dhe në Shqipëri, zgjdhjet do të mbahen si duhet dhe nëse rezultati i tyre nuk do të mëdyshet prej atyre që nuk do të jenë të kënaqur me votën e tyre. /Lajmi.net/

Fotolajm

Pandat gjigante mbushin 1 vjeç në Makao
?>

ke nje LAJM

Jeni në vend të ngjarjes, apo dëshironi ta ndani ndonjë storie me të tjerët?

Klikoni në butonin më poshtë

DËRGO
 

Lojëra

  • Play World Soccer Champion
  • Play Bike Rivals
  • Play Berry Rush
  • Play Bubble Trouble