“Dita e gjykimit” po vjen edhe për “Capitol Hill”?

Tregohu e kujdesshme me ligjvënësit meshkuj që flenë në zyrat e tyre, mund të shkaktojnë telashe. Evito mundësinë që ta gjesh veten vetëm me një kongresmen apo senator në ashensorë, orët e natës apo gjatë shfaqjeve ku rrjedh alkooli. Mendohu dy herë para se të flasësh për ngacmim seksual nga një bos, mund të të kushtojë karrierën!

Bota

14/11/2017 22:27

Këto janë disa nga rregullat e pashkruara që disa ligjvënëse femra, staf apo praktikante, thonë se ndjekin në “Capitol Hill”, ku ngacmimi është i vazhdueshëm. Ka edhe një listë joformale të pjesëtarëve meshkuj, më të njohur për sjellje të papërshtatshme, që variojnë nga komentet sugjestionuese seksuale apo xhestet, e deri te kërkimi i marrëdhënieve fizike me punonjëse të reja apo praktikante.

CNN, në një investigim të sajin, ka biseduar me më shumë se 50 ligjvënëse, aktuale dhe të shkuara, ndihmëse që kanë punuar në Kongres, etj., shumica e të cilave kanë folur në mënyrë anonime për të evituar pasojat e mundshme.

Me disa përjashtime, të gjitha kanë thënë se kanë përjetuar personalisht ngacmime seksuale në “Capitol Hill”, ose njohin të tjerë që e kanë pësuar.

CNN nuk ka përmendur emra në shkrim, pasi nënvizon se historitë nuk janë verifikuar ende, por shton se pas akuzave shpërthyese në “Hollywood” që kanë rrëzuar figura të rëndësishme si Harvey Weinstein, aktorin Kevin Spacey, komedianin Luis C.K. etj., në “Capitol Hill” nuk është e qartë nëse dita e gjykimit po vjen./Top Channel