Diskutohet për ndryshimin e udhëzimit për shfrytëzimin e arkave fiskale

Në kuadër të ndryshimeve është propozuar edhe një nen i veçantë që ka të bëjë me nxitjen apo motivimin e konsumatorëve për të marrë kuponin fiskal. 

Lajme

11/02/2015 18:05

Plotësimi dhe ndryshimi i Udhëzimit Administrativ për shfrytëzimin e pajisjeve elektronike fiskale është bërë me qëllimin që të krijohen mundësi më të mëdha për tatimpaguesit në përzgjedhjen e pajisjeve për menaxhimin e shitjeve të tyre, me çmime konkurruese, duke mos cenuar kualitetin dhe sigurinë e pajisjeve, ka thënë të mërkurën ministri i Financave, Avdullah Hoti në takim me odat ekonomike dhe përfaqësues të bizneseve në lidhje me plotësimin dhe ndryshimin e Udhëzimit administrativ për shfrytëzimin e pajisjeve elektronike fiskale, raporton Kosovapress.

“Përmes këtij udhëzimi dëshirojmë që të identifikojmë edhe tatimpaguesit të cilët nuk do t’i nënshtrohen fiskalizimit me arka fiskale, ku janë përfshirë kompanitë publike të cilat faturojnë shërbimet e tyre në bazë të matësve të veçantë (orët matëse të harxhimit të ujit, rrymës, ngrohjes, etj.), ose ndonjë mënyrë tjetër të faturimit, pshm. kompanitë e menaxhimit të mbeturinave, etj., si dhe tatimpaguesit që ushtrojnë ndonjë veprimtari në cilësi të zejtarëve (si qeleshepunues, poçar, etj.) dhe ata që kanë qarkullim të vogël. Kategoria e tillë e tatimpaguesve do të varet nga interesi nacional për ruajtjen e zejeve të veçanta që nuk mund të çrregullojnë tregun me prodhimet e tyre”, tha Hoti.

Gjithashtu, në kuadër të këtij drafti është propozuar edhe një nen i veçantë që ka të bëjë me nxitjen apo motivimin e konsumatorëve për të marrë kuponin fiskal, gjë që ka mbetur të diskutohet gjatë takimeve të përbashkëta me palët e interesit.