Diskutohet për hapat e mëtutjeshëm në rastin e varrezës masive të Rashkës

Edita Tahiri tha se “jemi thellësisht e shqetësuar për çështjen e të pagjeturve dhe mungesën e një zgjidhjeje të plotë për këtë çështje'. Komisioni qeveritar për persona të pagjetur njoftoi për rrjedhat e deritashme lidhur varrezën masive në Rashkë.

Lajme

13/03/2014 10:24

Nën drejtimin e Zëvendëskryeministres së Kosovës Edita Tahiri sot u mbajt takimi i Komisionit qeveritar për personat e pagjetur dhe partnerëve ndërkombëtar ku u diskutuan përgatitjet dhe hapat e mëtutjeshëm në rastin e ‘varrezës masive të Rashkës’.

Ne këtë takim ishin të pranishëm përfaqësuesit e Komisionit Qeveritar për persona të pagjetur dhe partnerët ndërkombëtar të angazhuar në këtë çështje si dhe përfaqësues të ambasadave që do të jenë mbështetës të projektit për gërmime në Rashkë.

Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri tha se “jemi thellësisht e shqetësuar për çështjen e të pagjeturve dhe mungesën e një zgjidhjeje të plotë për këtë çështje”.

“Si Qeveri e Republikës së Kosovës kemi qenë dhe mbetemi tërësisht të angazhuar për zgjidhjen përfundimtare të këtij problemi. Si rezultat i angazhimit të mekanizmave qeveritarë dhe atyre ndërkombëtarë, të cilët janë duke punuar në vazhdimësi në këtë drejtim, tash se fundmi është konfirmuar ekzistimi i varrezës masive ne regjionin e Rashkës në Serbi ,e cila është një nga tragjeditë më të mëdha qe prek thellë jo vetëm familjaret e të pagjeturve por krejt Kosovën jo vetëm për faktin që Qeveria e Serbisë e ka vonuar informacionin mbi të vërtetën rreth këtij rasti edhe pse ne e kemi poseduar dhe proceduar informacionin, por aq më keq që Qeveria e Serbisë ka dhënë urdhër të ndërtohet një ndërtesë mbi varrezën masive për ti mbuluar gjurmët e gjenocidit të bërë ndaj popullit të Kosovës”.

“Qeveria e Kosovës angazhohet që sa më parë të realizohen të gjitha veprimet për ndriçimin e fakteve nga rasti i Rashkës, prandaj domosdoshmëria e hartimit të një Projekti gjithëpërfshirës dhe Planit për veprim për rastin e Rashkës janë mekanizma konkret që do të mundësojnë realizimin e qëllimeve tona. Ajo vlerësoi rolin lehtësues të Kryqit të Kuq ndërkombëtar në dialogun mes Komisioneve Qeveritare të të dyja shteteve gjatë gjithë procesit dhe rezultateve të deritashme dhe shprehu bindjen për përparimet e mëtejme, po ashtu vlerësoi angazhimet e EULEX-it dhe të partnerëve tjerë ndërkombëtarë dhe ambasadave në Kosovë”.

Prenk Gjetaj, kryetar i Komisionit qeveritar për persona të pagjetur njoftoi për rrjedhat e deritashme lidhur me rastin e varrezës masive në Rashkës, si dhe për të gjitha aspektet e rëndësishme që duhet të merren parasysh në përgatitjet e projektit për gërmimet në Rashkës.

Ambasadorja e Zvicrës, Znj. Krystyna Marty Lang, vlerësoi rëndësinë e mbështetjes ndërkombëtare në këtë projekt të rëndësishëm që do të kontribuoj për ndriçimin e fakteve të reja për të pagjeturit si dhe shprehu gatishmërinë për të mbështetur me donacione duke theksuar se projekti i tillë duhet të jetë i dakorduar mes palëve, për të qenë e mundur përkrahja.

Pas diskutimeve të pjesëmarrësve në këtë takim u nxorën këto konkluzione:

K O N K L U Z I O N E T

‘Projekti me pajtueshmërinë e palëve’

Që nënkupton një projekt të dakorduar, përkatësisht projekt me pajtueshmërinë mes institucioneve kompetente të Republikës së Kosovës dhe institucioneve të Serbisë, mbi hapat e mëtutjeshëm dhe shpenzimet e nevojshme buxhetore për rifillimin, vazhdimin dhe përfundimin e punimeve në ‘rastin e Rashkës’. Finalizimi i një projekti të tillë, bazohet edhe në sugjerimet paraprake të dhëna nga donatorët e mundshëm ;

‘Plani i Përbashkët i Veprimit’

Një plan aksional, mes palëve dhe aktorëve ndërkombëtar të përfshirë në këtë proces, duke përfshirë hapat konkret, afatet kohore dhe përgjegjësitë në mes të palëve të angazhuara

Takimi gjithëpërfshirës

Fillimisht të mbahet një takim gjithëpërfshirës mes delegacionit shtetëror të Kosovës dhe atij të Serbisë me lehtësimin nga ana e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar dhe pjesëmarrjen aktorëve relevant ndërkombëtarë. Ky takim duhet të rezultojë me hartimin dhe dakordimin e Projektit dhe Planit për veprim për ‘rastin e Rashkës’. Varësisht nga rezultatet e këtij takimi mund të mbahet takimi mes ekspertëve, me qëllim të shqyrtimit të hollësishëm të çështjeve profesionale mjeko-ligjore ;

4. Donatorët ndërkombëtar mbështesin Projektin dhe Planin për veprim të dakorduar nga palët.

Donatorët ndërkombëtarë pjesëmarrës në këtë takim u shprehën se janë të gatshëm të mbështesin Projektin dhe Planin për veprim të dakorduar nga palët.