DioGuardi, duhet një rezolutë për statusin shtet-formues të shqiptarëve në Maqedoni

Klasa politike shqiptare në Maqedoni ka dështuar dhe tashti ajo ka mbetur vetëm si vëzhguese për atë që po ndodh me shqiptarët në trojet e veta, deklaroi Joseph DioGuardi.

Lajme

05/08/2014 21:58

Ish kongresisti dhe kryetari i Lidhjes Shqiptaro Amerikane, DioGuardi dhe bashkëshortja e tij, Shirley, në një intervistë televizive kanë folur për çështjen shqiptare të pazgjidhur në Ballkan, me theks të veçantë për pozitën jashtë kushtetuese të shqiptarëve në Maqedoni.

Në redaksinë “TV Ilirët” në SHBA, DioGuardi ka shpalosur kujtimet e tij nga rrugëtimi për të sensibilizimin e çështjes shqiptare në Ballkan, transmeton agjencia e lajmeve INA.

Në shpalimet e tij, arbëreshi DioGuardi theksoj se takimi me njerëzit e gjakut të tij me shqiptaro-amerikanët, u bë përmes mikut Bill Cassin (një irlandezo-amerikan), i cili më vonë ishte nismëtari që DioGuardi të kandidojë për Dhomën e Përfaqësuesve në Kongres.

“Posa hyra në portën e Kongresit në Washington jam afruar shumë me Tom Lantos dhe John Porter dhe, në dijeni të plotë për pozitën e vështirë të shqiptarëve në ish Jugosllavi, iu kam ofruar atyre platformën time kombëtare për Kongresin dhe Senatin dhe përgatitjen  e një rezolutë për avancimin e çështjes shqiptare në Ballkan. Kjo u mirëprit nga Tom Lantos, Gilman, Hyde dhe me ato 50  nënshkrime tjera të kongresistëve dhe senatorëve”.

“Me ndihmën e pa rezervë të popullit amerikan dhe të Kongresit e të Senatit me Departamentin e Shtetit, Kosova u nda përgjithmonë nga regjimi antishqiptar i Serbisë së Millosheviqit. Në këtë kohë ende po lëvizin skenarët antishqiptar dhe këso kohe duhet të përmendi çështjen e (pa)zgjidhur shqiptare në Maqedoni”, tha DioGuardi.

Ai shtoi se në këtë vend (Maqedoni) nuk mund të lejohet që populli shqiptar të anashkalohet dhe të mbetet anash Kushtetutës si popull (jo pakicë kombëtare).

“Klasa politike shqiptare në Maqedoni ka dështuar dhe tashti ajo ka mbetur vetëm si vëzhguese e ditës se çfarë po ndodh me shqiptarët në trojet e veta. Ne do të reagojmë përmes protestës në Chicago dhe do të çojmë mesazhin e qartë për Nikolla Gruevskin dhe regjimin e tij se populli shqiptar në këto hapësira nuk meriton të vuajë dhe të nëpërkëmbet ashtu si do dikush dhe ashtu si e ka të projektuar në skenarët e njohur për ne”.

DioGuardi dhe Shirley theksuan se Maqedonia mund të ekzistojë dhe të frymojë në mënyrë demokratike vetëm me demokratizimin dhe ndryshimet kushtetuese përmes vijave të federalizmit, ku populli shqiptar do të avancohet në shkallë kombëtare (shtet-formues).

“Washingtoni do të kërkojmë që popullit shqiptar në Ballkan të mos i mbetet mbi qafë vuajtja  dhe trajtat e pabarazisë me popujt tjerë me të cilët jetojnë në Maqedoni, Mal të Zi, Preshevë e Medvegjë, si dhe kërkesa për çështjen e Çamërisë së vrarë e të hequr nga harta e vet etnike nga regjimi helen i Greqisë”.

Për çështjen e pazgjidhur shqiptare në Maqedoni, tha më tutje ai, do të përgatitet rezolutë për Kongresin dhe Senatin dhe për të drejtën e lirisë e të paqes për shqiptarët që ende po vuajnë në Ballkane. “Unë kam gjak shqiptari dhe kërkoj që tërë shqiptaro-amerikanët në Amerikë të afrohen më LQSHA-në dhe të sendërtojmë programin se populli shqiptar ende po vuan në Ballkan”.