Dilni në tubime, merrni nota të mira!

Shoqata joqeveritare CIVIL në Maqedoni ka lajmëruar katër ankesa të qytetarëve në lidhje me fushatën parazgjedhore presidenciale dhe parlamentare. Ndër to, ka pasur edhe lajmërime nga nxënësit, që janë ftuar në tubime, në këmbim të notave më të mira.

Lajme

02/04/2014 22:05

Në dy shkolla të mesme në Shkup, nxënësit janë liruar nga mësimi, për të marrë pjesë në një miting në Ohër.

Në njërën shkollë u kanë thënë nxënësve se në Ohër do të këndojë Daniell Kajmakovski, ndërsa në shkollën tjetër nxënësve me sukses më të dobët u kanë premtuar se do t’ua përmirësojnë notat, raporton Portalb.

Në një shkollë të mesme në Shkup, drejtori ka keqpërdorur pozitën e vet, duke bërë thirrje për bojkot të zgjedhjeve presidenciale.

Ai ka organizuar mbledhje për këtë qëllim. Drejtori tha se në rast se votojnë shqiptarët, do ta dobësojnë pozitën e vet në shoqëri.

Një mërgimtar nga SHBA ka lajmëruar ekipin e Portalb se një deputet dhe përfaqësues i lartë i një partie politike, gjatë vizitës së tij në SHBA, u ka bërë thirrje të gjithë mërgimtarëve maqedonas të dalin të votojnë, për të mos fituar një shqiptar në zgjedhjet parlamentare në Njësinë Zgjedhore numër 7.