Dilemat rreth pyetjes së referendumit në Maqedoni

Partitë politike ende nuk kanë arritur një marrëveshje konkrete për modalitetet e referendumit që duhet të mbahet në vjeshtë lidhur me marrëveshjen për emrin me Greqinë.

Lajme

21/07/2018 16:41

Çështjet që duhet të harmonizohen kanë të bëjnë me formën e referendumit dhe pyetjen që duhet të parashtrohet. Kryeministri Zoran Zaev, pas një takimi me liderët të mërkurën, në të cilën nuk mori pjesë opozita, tha se qëndrimi i tij, si dhe i partive që kanë marrë pjesë në atë takim, është që referendumi të jetë konsultativ, ndërsa pyetja të jetë përafërsisht në formën se “A jeni për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe BE me pranimin e Marrëveshjes me Greqinë?”.

Kreu i VMRO DPMNE-së në opozitë, Hristijan Mickovski, nuk i ka komentuar detajet pas takimit të dytë të enjten, por ka thënë se në këtë çështje kaq të ndjeshme dhe të rëndësishme për të ardhmen e vendit, nuk duhet të ketë mashtrime, porse pyetja duhet të jetë konkrete.

Dallime në qëndrime për pyetjen e referendumit ka edhe mes njohësve të çështjeve politike dhe juridike në vend.

Vlladimi Bozhinovski nga Instituti për Hulumtime Politike në Shkup, thotë për Radion Evropa e Lirë, se në pyetjen e referendumit të publikuar nga kryeministrit sheh “trik” të pushtetit, pasi esenca e marrëveshjes, sipas tij, nuk ka të bëjë me integrimin, por me ndërrimin e emrit të shtetit.

Bozhinovski thotë se kjo krijon hamendje te qytetarët, pasi për disa mund të jetë për anëtarësimin euroatlantik, por jo edhe për ndryshimin e emrit të shtetit. Ai del me një formulim të ri të pyetjes së referendumit.

“A jeni për ndryshimin e emrit kushtetues, Republika e Maqedonisë, në Republika e Maqedonisë së Veriut dhe pranimin e pikave tjera të marrëveshjes, me qëllim pranimin e Maqedonisë në NATO dhe fillimin e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Kjo do të ishte pyetja, e cila në aspektin metodologjik do të ishte e paanshme dhe e qartë për qytetarët që të mund të vendosin sipas bindjeve të tyre”, thotë Bozhinovski.

Por, Temelko Ristevski, njohës i së drejtës kushtetuese, për Radion Evropa e Lirë thotë se pyetja e referendumit e publikuar nga kryeministri, duhet të jetë e pranueshme pasi pasqyron qëllimin strategjik të qytetarëve të vendit.

“Sa i përket formulimit të pyetjes së referendumit, kuptohet nëse kështu mbetet, se ‘A jeni për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe BE me pranimin e marrëveshjes me Greqinë’, mendoj se bëhet fjalë për një pyetje të formuluar mirë pasi qëllimi i qytetarëve të Republikës së Maqedonisë, e shumicës së qytetarëve është anëtarësimii vendit në NATO dhe BE. Nga pikëpamja e tillë dhe duke marrë parasysh faktin se marrëveshja me Greqinë e mundëson realizimin e këtij qëllimi të qytetarëve të Maqedonisë, atëherë mendoj se një formulim i tillë, është korrekt”, vlerëson Ristevski.

Por, ai thotë se pushteti duhet të respektojë çdo vendim që del nga referendumi, pavarësisht pyetjes që mund të përmbajë fleta e votimit.

“Pushteti duhet të respektojë vullnetin e qytetarëve. Referendumi bazuar në përcaktimet kushtetuese mund të jetë konsultues dhe obligues. Qeveria ka paralajmëruar se ai do të jetë konsultues, por edhe në këtë rast vota e qytetarëve ka peshën më të madhe se çdo vendim tjetër. Pra, edhe sikur të jetë konsultues dhe vendimi i tyre të jetë negativ, pushteti këtë duhet ta respektojë edhe pse kjo do ta ndërlikonte situatën”, thotë Temelko Ristevski, njohës i çështjeve kushtetuese.

Arsim Sinani nga Qendra studime ndërkombëtare dhe hulumtime ballkanike nuk komenton debatet për pyetjen e referendumit, por thekson nevojën e patjetërsueshme që marrëveshja me Greqinë të zbatohet pa hamendje.

“Është një marrëveshje ndërkombëtare që i zgjidh problemet mes dy shteteve, dhe në këmbim të kësaj, qytetarët e Maqedonisë fitojnë të ardhmen e tyre evropiane dhe euroatlantike. Është një marrëveshje e dhimbshme, por e domosdoshme dhe e rëndësishme për të ardhmen jo vetëm të IRJM-së, por edhe të Ballkanit në përgjithësi”, konsideron Sinani.

Takimi i radhës i partive për çështjen e referendumit, por edhe për aspekte tjera, në veçanti për zgjedhjen e anëtarëve të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, pritet të mbahet të dielën apo të hënën.

Kryeministri Zoran Zaev ka thënë se shpreson që referendumi dhe ndryshimet kushtetuese të kryhen më së voni deri në fund të vitit, apo pjesën e parë të janarit të vitit 2019, që Greqia të mund të ratifikojë marrëveshjen para zgjedhjeve që do të mbahen në këtë vend në pjesën e parë të vitit të ardhshëm./REL