Dilema e madhe e De Biasit para ndeshjes me Izraelin

Përgatitjet e Kombëtares shqiptare për ndeshjen kundër Izraelit kanë hyrë në fazën më kulmore, ndërsa duket se trajneri Xhani De Biazi ka zgjidhur dilemat më të mëdha sa i përket ekipit që do të hedhë në fushën e lojës.

Sport

08/06/2017 21:57

Gjatë ditës ë sotme, tekniku i kuqezinjve ka provuar një rreshtim tip, duke iu kthyer skemës 4-1-4-1 që ka rezultuar efikase në të kaluarën dhe që vetë lojtarët e preferojnë. Mbrojtja me katër rreshton nga e djathta në të majtë Hysajn, Gjimshitin, Mavrajn dhe Alijin, me këtë të fundit që për momentin ka fituar balotazhin me Lenjanin për një fanellë titullari.

Kukeli do të jetë diga para mbrojtjes me Abrashin e Memushajn të zhvendosur pak më para tij. Ndërkaq, Hyka në të majtë dhe Roshi në të djathtë pritet të luajnë që nga minuta e parë në duelin kundër Izraelit.

Në teori, titullari i sulmit do të jetë Cikalleshi. Por De Biazi, gjatë pasdites së sotme, ku u zhvillua një ndeshje brenda grupit, e ka provuar një pjesë loje sulmuesin kavajas, ndërsa në pjesën e dytë ka testuar në këtë pozicion Armando Sadikun.

Duket se kjo është dilema më e madhe që ka trajneri për duelin e të dielës, i ndërgjegjshëm që për të kthyer Shqipërinë “në shina” i duhen gola që të garantojnë fitoren ndaj Izraelit.