Dikur rekomandimi për vizat festohej me shampanjë, tash me tortë /FOTO

Në Odën e Ekonomike të Kosovës sot është kremtuar rekomandimi i Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave për qytetarë të Kosovës.

Lajme

19/07/2018 16:45

Është prerë edhe torta e janë thënë fjalë të mira për këtë që tashmë nga politikanët e quajnë “lajm të mrekullueshëm”.

Foton nga ky manifestim në Facebook e ka publikuar kryeministri i vendit Ramush Haradinaj.

Më herët, respektivisht në vitin 2016 atëherë kur u pat dhënë rekomandimi i parë nga Komisioni Evropian për vizat, në Kosovë u pat festuar me shampanjë, shkruan lajmi.net.

Ishte ish ministri i Integrimeve, Bekim Çollaku aso kohe e pat hapur shampanjë në shenjë festimi, mirëpo ishte kushti i demarkacionit që bllokoi liberalizimin e vizave.

Postimi i Haradinajt në Facebook:

“Liberalizimi i vizave, qytetarëve të Kosovës ua lehtëson jetën, dhe veçanërisht është lajm i mrekullueshëm për bizneset në vend.

Në vizitën e sotme në Odën Ekonomike të Kosovës, rikonfirmova përkushtimin e Qeverisë për të rritur parametrat në ekonomi, si dhe për të vazhduar partneritetin me sipërmarrësit dhe bizneset.

Bizneseve në vend me ndërtimin e termocentralit “Kosovës së Re” u garantohet stabilitet energjetik. Po ashtu, kemi ndërmarrë hapa konkret në përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore që na lidhë me shtetet fqinje e më gjerë. Komunave u kemi siguruar hapësirë të veçantë për zona ekonomike. Kurse, politikat fiskale i kemi ndër më të mirat në rajon.

Ekonominë po e orientojmë drejt partnerëve tanë strategjikë dhe me lëvizjen e lirë në vendet e BE-së do të fuqizohen lidhjet ekonomike me Europën”.