Dikur e padëshiruar, tash partnere e BE’së

BE’ja do t’i vendosë kritere shteruese Serbisë për anëtarësimin e saj në BE. Fillimisht është normalizimi i marrëdhënieve më Kosovën dhe më pas gjithë transformimi i saj në të drejtat e njeriut dhe sundim të ligjit. Analizë nga BBC.

Lajme

22/01/2014 06:24

Për të pasur një ide të qartë se sa shpejt gjërat kanë ndryshuar në Serbi, një vizitori i duhet një shëtitje e thjeshtë në rrugët kryesore të kryeqytetit, Beogradit.

Ndërtesat qeveritare të bombarduara në Bulevardin Princ Milosh, kanë mbetur në gjendje të tillë, të grabitura dhe të shkatërruara që prej bombardimeve ajrore të NATO’s të vitit 1999. Shkatërrimi kontribuoi në rrëzimin e qeverisë shtypëse ultra-nacionaliste të Slobodan Milosevic’it një vit më vonë.

Në atë pikë nuk do të ishte e vështirë që Serbia të shikohej si një prej shteteve anëtarë te Bashkimit Europian. Dhe do të dukej fantastike që të imagjinosh se ish-aleatët e Milosevic’it, do e kishin vënë Serbinë në rrugën e saj të pranimit.

Por kjo është pikërisht ajo se çka ndodhi.

Fillimi i bisedimeve formale të pranimit në BE ka ardhur pas një shtytje të përbashkët nga ana e qeverisë e cila erdhi në pushtet në korrik të vitit 2012. Udhëheqësi i saj- në të vërtetë, jo në titull- është Zëvendës Kryeminisri i parë, njëherësh udhëheqësi i Partisë Progresive, Aleksandar Vucic.

Ai njihet si një person që mund t’i përfundojë gjërat. Le të japim një shembull kyç: kur bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Serbisë dhe Kosovës ishin në rrezik për t’u ndërprerë në muajin prill të vitit të kaluar, Brukseli thirri Vucic’in që të nënshkruante marrëveshje. Kjo gjë hapi rrugën që të filloheshin bisedimet për anëtarësim në BE.

Një rini e çuar dëm

Por lideri i Progresistëve e çoi dëm rininë e tij. Ai ishte akoma në të 20’tat kur u bë Ministër i Informacionit në vitin 1998. Derisa protestat kundër administratës së Milosevic’it po rriteshin fuqishëm, Vucic vuri gjoba për gazetarët të cilët kundërshtonin qeverinë dhe njëkohësisht përzuri nga Serbia mediat dhe televizionet e huaja.

Ai tha se e pranon që kishte vepruar keq, prandaj dhe ndryshoi.

“Nuk më vinte turp që t’i rrëfeja të gjitha gabimet e mia politike”, tha Vucic.

“Pas vitit 1999 ne pamë rezultatet e politikës sonë- ishte shumë keq në të gjitha sferat shoqërore. Ne kishim aq shumë ura dhe ndërtesa të rrënuara sa ju nuk mund t’i imagjinoni. Ato ishin rezultat i politikës sonë. Ne duhej që të gjenim një rrugë më të mirë për Serbinë”.

Vucic thotë se rruga e mirë do të thotë anëtarësim në BE. Jo për shkakun se sa para do të mund të silleshin brenda vendit, por për shkakun se kjo do ta shtynte Serbinë që të bënte reforma, të cilat do ta sillnin  vendin në po të njëjtat standarde, sikurse i kanë shtetet e tjera europiane.

“Është shumë e lidhur me modernizimin e vendit. Ne duhet të ndërrojmë mendësinë tonë, shprehit tona, veten tonë- dhe kjo është gjëja më e rëndësishme”.

Ardhja deri tek fillimi i bisedimeve për pranim në BE, do të thoshte arritja e një kompromisi për Kosovën, e cila në mënyrë të njëanshme shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008. Qeveritë e kaluara të Beogradit kishin rezistuar një presion të madh nga Shtetet e Bashkuara dhe shumë shteteve anëtare të BE’së, për normalizimin e marrëdhënieve me Republikën e shkëputur- pjesërisht për shkak të frikës se do të shqetësonin grupet nacionaliste të serbëve.

Por duke pasur parasysh të kaluarën e tyre, ishte shumë më e vështirë që të viheshin në pikëpyetje kredencialet patriotike të Vucic’it dhe të kolegëve të tij. Dhe pas disa muajve negocim, një marrëveshje me Kosovën u arrit në prill të vitit të kaluar.

Politikat e tjera kanë provuar të jenë jashtëzakonisht popullore me një elektorat që i ishte rritur frustrimi se agimi demokratik në fillit të mijëvjeçarit kishte dështuar për të ofruar një prosperitet ekonomik. Veçanërisht, një fushatë anti-korrupsion ka vënë në shënjestër dhjetëra persona të dyshuar se kanë përfituar në mënyrë të jashtëligjshme nga privatizimet, duke përfshirë këtu edhe manjatë, që dikur ishin të paprekshëm.

Edhe disa kritikë janë detyruar që të rishikojnë opsionet e tyre për ministrat në kohën e Milosevic’it- ndër të cilët përfshihet edhe Kryeministri aktual, Ivica Dacic dhe Presidenti Tomislav Nikolic dhe gjithashtu edhe Vucic’i.

“Ata janë më të ndryshëm se më parë”, tha Natasha Kandic, e cila është themeluese e Fondit për të Drejtën Humanitare. Ajo tha për BBC, vitin e kaluar se “Është e rëndësishme që ata kanë ndryshuar dhe tashmë janë duke bërë thirrje për demokraci”.

Dyshimet janë prezente

Disa të tjerë janë larg bindjes- posaçërisht Partia Demokraike, e cila ishte në krye të qeverisjes prej vitit 2001 deri 2012. Ata pretendojnë se fushata anti-korrupsion ka vënë në shënjestër vetëm mbështetësit e saj- duke lënë të paprekur aleatët e administratës aktuale.

“Qeveria faktikisht është duke shfrytëzuar mbështetjen ndërkombëtare për çështjen e Kosovës, me qëllim që ta shfrytëzojë opozitën që të bllokojë të gjitha përpjekjet demokratike të arritura deri më tash”, thotë Vladimir Todoric, një anëtarë i lartë i Partisë Demokratike.

“Është për të ardhur keq se prioriteti i vetëm i komunitetit ndërkombëtar i cili është këtu, është implementimi i marrëveshjes së Brukselit me Kosovën. Të gjitha gjërat të natyrës së brendshme, në kuptimin e ndjekjes së opozitës në të ashtuquajturën fushatën kundër korrupsionit- nuk po diskutohen”.

Bashkimi Europian mohon se nuk ka shikuar këto probleme dhe insiston se, për të marrë anëtarësimin, Serbia duhet të kalojë nëpër disa kritere shteruese të anëtarësimit. Këtu përfshihen kapitujt e sundimit të ligjit dhe të drejtat e njeriut.

Këto negociata do të duhen vite- ndoshta një pjesë të mirë të dekadës.

Por nëse Serbia kalon të 35 kapitujt, do të ishte një pozitë të kompletimit të transformimit të saj. Nuk do të ishte më një shtet i shtresës së ulët, sikurse ishte në vitet e 90’ta- por një anëtar i plotë dhe i respektuar i Bashkimit Europian.