Dieta që ul rrezikun e prekjes nga kanceri i zorrës së trashë

Ta mbash zorrën e pastër nënkupton mbajtjen pastër të indeve dhe i lejon qelizat tuaja të rindërtohen. Një dietë për pastrimin e zorrëve gjithashtu ushqen trupin dhe çon në një shëndet më të mirë.

Lifestyle

10/12/2017 18:42

Nga të dhënat e 99 studimeve të ndryshme zhvilluar mbi 29 milionë persona anembanë botës rezulton se drithërat integrale reduktojnë rrezikun e kancerit të zorrës së trashë me 17 për qind.
Nga ana tjetër, të dhënat e po këtyre studimeve konfirmojnë se konsumimi i mishit të kuq të përpunuar, pra sallameve, shton rrezikun e prekjes nga kanceri.

Orizi, buka dhe makaronat integrale zvogëlojnë rrezikun e zhvillimit të kancerit të zorrës së trashë, me efekt të jashtëzakonshëm mbi organizmin, praktikisht sa më shumë konsumojmë këto lloj ushqimesh, aq më shumë ulim rrezikun e zhvillimit të këtij kanceri.

Të dhënat janë bërë publike nga Instituti Amerikan Kërkimor i Kancerit dhe nga Fondacioni Botëror Kërkimor kundër kancerit, pas analizimit të të dhënave të 29 milionë personave në mbarë botën, prej të cilëve 250 mijë me kancer në zorrë të trashë.

Studimi

Anketa nisi për të vlerësuar rëndësinë dhe impaktin e disa elementeve në ushqime dhe aktivitetin fizik mbi mundësinë e formimit të kancerit.

Të dhënat tregojnë ushqimet që bëjnë mirë dhe të tjera që kanë efekt negativ mbi shëndetin tonë, duke nxitur zhvillimin e sëmundjeve malinje. Konsumimi çdo ditë i tre racioneve i drithërave integrale zvogëlon rreth 17 për qind, të zhvillimit të kancerit të zorrës së trashë, duke konfirmuar efektin mbrojtës të fibrave.

Por konsumimi i mishit të kuq të përpunuar, sallameve, deri në 500 gramë në javë, është faktor predispozues për zhvillim të sëmundjeve malinje. Sakaq, të dhënat tregojnë se nëse jeni obezë apo konsumoni 30 gram alkool, i barasvlershëm me dy gota verë apo një gotë birrë, bëjnë pjesë të ushqimit predispozues për zhvillim të sëmundjes.

Stili i jetesës

Elemente të tjera ushqimore që kanë rezultuar mbrojtëse janë edhe ushqime të pasura me vitaminë C, të cilat kanë efekt pozitiv; po kështu frutat, perimet, bishtajoret bëjnë pjesë te grupi i ushqimeve me përbërës të rëndësishëm në uljen e rrezikut kundër kancerit. Dihet tashmë se zgjedhjet që bëjmë ne çdo ditë në konsumimin e ushqimeve të ndryshme paracaktojmë edhe fatin e shëndetit tonë. Ndaj dhe siç e shpjegojnë qartësisht të dhënat e studimit, stili i jetesës, aktiviteti fizik dhe ushqimi i shëndetshëm janë faktorë të rëndësishëm për të ulur rrezikun e kancerit të zorrës së trashë.

Dieta

Dieta me bazë bimore përmban një sasi të konsiderueshme perimesh, frutash, bishtajoresh, farash, arrash dhe drithërash të cilat janë të pasura me fibra, e cila është një përbërës thelbësor jo i tretshëm. Fibrat e shumta bëjnë që trakti tretës të jetë i shëndetshëm, pasi largojnë mbeturinat nga zorra, pak a shumë si një fshirëse.

Fibrat

Fibrat nxisin lëvizjen e zorrëve duke stimuluar kontraksionet muskulare. Gjithashtu, fibrat mbajnë lagështirën në zorrë, duke zbutur feçet. Ne kemi nevojë njëkohësisht për fibrat e tretshme dhe të patretshme për të pastruar zorrën e trashë çdo ditë. Fibrat e tretshme shpërbëhen në ujë, ndërsa fibrat e patretshme, jo. Fibrat e patretshme janë veçanërisht të mira për të përmirësuar jashtëqitjen dhe për të parandaluar kapsllëkun. Fibrat e tretshme rrisin bakteret e mira, të cilat prodhojnë antibiotikë natyralë që eliminojnë bakteret e këqija si salmonela, kampilobakteri dhe esherika kolin. Studiuesit besojnë se nivelet e ekuilibruara të florës së zorrëve mund të ndihmojnë në parandalimin e kancerit të zorrëve. Fibrat e tretshme janë gjithashtu të rëndësishme për të lidhur kolesterolin dhe për të ndihmuar kalimin e tij në trup. Farat e lirit dhe tërshëra janë në krye të ushqimeve të pasura me fibra të tretshme dhe të patretshme. Një lugë me fara liri përmbajnë 4­6 gramë fibra. Ushqimet e tjera të pasura me fibra të tretshme përfshijnë bizelet, fasulet, orizin, elbin, agrumet, luleshtrydhet dhe mollët. Ushqimet e pasura në fibra të patretshme përfshijnë grurin, thekrën, orizin kaf, elbin, lakrat, panxharin, karotat, lakrën jeshile, lulelakrën dhe mollët (me lëkurë). Rekomandohet të konsumohen rreth 20­35 gramë fibra në ditë, por dietat moderne sigurojnë vetëm 10 g. (Gjithsesi, sasitë e mëdha të fibrave duhet të shmangen gjatë gjendjes së acaruar të zorrëve). Për të përmbushur kërkesat për fibër, konsumoni rreth 5 herë në ditë fruta dhe perime dhe 6 herë grurë.

Jeshillëqet

Sasia e lartë e klorofilit që gjendet në jeshillëqet (si gruri jeshil, elbi, algat) i bën ato ideale për pastrimin e zorrës. Gjithashtu, klorofili shërben për shërimin e indeve të dëmtuara në traktin tretës. Kjo e ndihmon trupin të marrë më shumë oksigjen dhe të nxjerrë jashtë toksinat. Për këtë arsye klorofili është quajtur edhe “deodoranti i zorrëve”.

Ushqimet e fermentuara

Një dietë e lartë në karbohidrate të rafinuara dhe e ulët në fibra redukton numrin e baktereve të mira në zorrë, duke krijuar probleme në ekuilibrin e ekosistemit të zorrëve. Kosi dhe ushqime të tjera të fermentuara, si lakra turshi mund të rikthejnë bakteret e mira.

Uji

Shumica e njerëzve duhet të pinë më shumë ujë. Uji është një shpërbërës universal dhe një sasi e pamjaftueshme e tij shkakton kapsllëk dhe taksicitet në zorrë dhe veshkat.

Aktiviteti fizik, ethet, klima e nxehtë apo e ftohtë, konsumimi i mishit dhe ushqimeve të kripura, të gjitha rrisin nevojën për ujë. Sasia e ujit varion nga individi (varet nga pesha e individit), por zakonisht është mirë 6­10 gota në ditë. Kur flasim për ujë që pihet, në të përfshihen uji i pastër, çajrat ose frutat e shtrydhura. Nuk përfshihen pijet me kafeinë, sepse ato janë dehidratuese. Koha më e mirë për të pirë një gotë ujë është mes vakteve ose 20 minuta apo më shumë para ngrënies. Ndërsa gjatë ngrënies pini vetëm gllënjka të vogël unë.

Një rregull i rëndësishëm është: kur jeni i etur, pini ujë, mos përdorni pije të tjera. Pastrimi dhe ushqimi janë dy faktorë njësoj të rëndësishëm për një ekuacion shëndetësor. Ta mbash zorrën e pastër nënkupton mbajtjen të pastër të indeve dhe i lejon qelizat tuaja të rindërtohen. Një dietë për pastrimin e zorrëve gjithashtu ushqen trupin dhe çon në një shëndet më të mirë.