“Die Welt”: Rama në Berlin kërkon mbështetje për hapjen e negociatave

“Shqipëria do të hyjë në Bashkimin Europian, por ka jo pak probleme”, shkruan “Die Welt”. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama kërkon të bindë kancelaren gjermane se Shqipëria është gati për hapjen e negociatave.

Lajme

25/04/2018 14:31

Përmes artikullit “Make Albania great again”, gazeta gjermane i kushton vëmendje vizitës së kryeministrit Edi Rama në Berlin.

Ish-basketbollisti dhe artisti në Berlin do të synojë me sharmin e tij të bëjë për vete kancelaren Merkel që të marrë mbështetjen për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë, shkruan gazeta.

“Dhe vërtet Rama, një socialist … ka se ç’të tregojë. Ekonomia rritet, Tirana mbushet me fasada që shkëlqejnë, një reformë në drejtësi e kërkuar nga BE ka marrë udhë…Por që ka njerëz që janë skeptikë, kur shtrohet pyetja për Shqipërinë që të bëhet sa më shpejt anëtare e BE-së, kjo lidhet edhe me histori si kjo: Në tetor prokuroria kërkoi heqjen e imunitetit të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri…sepse emri i tij përmendej disa herë në telefonatat mes tregtarëve shqiptarë dhe italianë të drogës.”

Gazeta gjermane i kushton vëmendje të gjithë zhvillimeve lidhur me rastin Tahiri dhe konkludon me përgjigjen e Ramës kur i pyetur nga “Die Welt” lidhur me rastin e sëkëlldisshëm Tahiri thotë: “Besoj në radhë të parë se dyshimet ndaj një personi nuk mund të pengojnë përpjekjet e një vendi të tërë.”