DiCarlo: E pabazë frika nga miti i Shqipërisë së Madhe

Ish ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB), Rosemary DiCarlo ka theksuar se deklaratat e shefit të diplomacisë ruse, Sergej Llavrov, lidhur me Shqipërinë e Madhe, janë të pa baza, sepse, sipas saj, një ide e tillë nuk ekziston.

Lajme

25/05/2015 16:24

Ajo ka thënë se shumë shpejt do të sqarohet ajo çfarë ndodhi në Kumanovë dhe se rajoni do të jetë më i qetë.

Ndërkohë, duke folur për komentet e shefit të diplomacisë ruse, Sergej Llavrov i cili gjatë vizitës në Beograd tha se Shqipëria e Madhe është një thirrje provokuese dhe nxit gjakderdhje në rajon, DiCarlo theksoi se Shqipëria e Madhe është vetëm një mit që nuk ekziston fare.

“Me gjithë respektin, unë nuk pajtohem me pretendimet e Llavrov-it. Kam shumë respekt për të si diplomat, por unë nuk i shoh zhvillimet në Maqedoni si hapin e parë drejt realizimit të mitit të Shqipërisë së Madhe, sepse unë vërtet mendoj që ky mit nuk ekziston fare. Nuk mendoj se ka diçka që duhet ta frikësojë Ballkanin. Mendoj se ajo çfarë ka ndodhur në Maqedoni është çështje që duhet ta adresojë vet Maqedonia”, ka theksuar ajo në një intervistë për Radio Televizionin Dukagjini.

Ndërkohë, Wolfgang Petrich, ish i dërguar i Bashkimin Evropian (BE) në Rambuje dhe ish ambasador i Austrisë në Kombet e Bashkuara, tha se ngjarjet në Kumanovë nuk paraqesin rrezik për rajonin.

Sipas tij, kjo situatë nuk ka potencial shpërthimi dhe që ta përfshijë të gjithë rajonin në një konflikt të dhunshëm.

“Por, cilado qofshin implikimet, kriminale apo politike, ky mund të jetë një shembull se sa shpejt udhëton lajmi i keq dhe kjo nuk është një gjë që ne e duam”, ka deklaruar Petrich.

Ndryshe, të dy ish-ambasadorët DiCarlo dhe Petrich, janë duke qëndruar në Pejë, në Hotel Dukagjini, ku po ligjërojnë në edicionin e dytë të Shkollës Pranverore për Diplomatë të Rinj, që ka filluar zyrtarisht të dielën dhe do të zgjasë deri më 30 të këtij muaji. (lajmi.net)