Diaspora synon investime për uljen e papunësisë në Kosovë

Paratë dhe investimet e shumta që diaspora i dërgon te të afërmit dhe familjet e tyre në Kosovë duhet të marrin një orientim dhe fokus tjetër, thonë përfaqësues të Ministrisë së Diasporës në Qeverinë në largim të Kosovës.

Lajme

05/07/2017 16:16

Shuma e remitencave (shuma e parave që dërgohen nga diaspora) që për çdo vit hyjnë në Kosovë, arrin shifrën mbi gjysmë miliardë euro, të cilat kryesisht janë shfrytëzuar për konsum familjar. Këto mjete, sipas projeksioneve të Qeverisë, mund të investohen në projekte të cilat do të gjeneronin vende të reja të punës.

Naim Dedushaj, drejtor në Drejtorinë për investime të diasporës në Ministrinë e Diasporës, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë tha se për orientimin e këtyre mjeteve në investime janë zhvilluar takime me rreth 10 mijë përfaqësues të bizneseve të diasporës.

“Dërgimi i remitencave ka ndihmuar Kosovën, ka ndihmuar familjet e tyre, por mendoj se tani ka ardhur koha për një formë tjetër të veprimit. Këto remitenca të shndërrohen jo vetëm në konsum, por edhe në investime. Kemi disa ide të ndryshme që do të zbatojmë menjëherë pas krijimit të Qeverisë së ardhshme”.

“Shndërrimi i këtyre remitencave në investime apo në hapjen e bizneseve të vogla nuk do të jetë i vështirë sepse ne kemi bashkëbiseduar me Rrjetin e bizneseve të diasporës shqiptare, e cila është e shtrirë në 25 vende të botës dhe në katër kontinente me rreth 10 mijë afaristë”, thekson Dedushaj.

Remitencat e pranuara në Kosovë, që njëherësh paraqesin edhe kategorinë më të madhe në kuadër të llogarisë së të ardhurave dytësore, sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, vijnë kryesisht nga Gjermania dhe Zvicra.

Në raportin e fundit të Bankës Qendrore, ku paraqiten të dhënat për tre mujorin e parë të këtij vitit, remitencat e pranuara në Kosovë arritën vlerën prej 163.4 milionë euro, që paraqet një rritje vjetore prej 13.3 për qind.

Bizneset nga diaspora, sipas Naim Dedushajt kanë gjetur forma të ndryshme për të ndihmuar zhvillimin ekonomik të Kosovës, por edhe uljen e nivelit të papunësisë në Kosovë, e cila, bazuar në shifrat zyrtare, është rreth 28 për qind.

“Jemi duke punuar në krijimin e disa kompanive që do të japin shërbime për bizneset e diasporës kudo që janë. Të rinjtë në Kosovë dhe në viset tjera shqiptare do të japin shërbime të ndryshme, si për shembull krijimin e ueb faqeve, avokaturës, arkitekturës duke mos u larguar fare nga vendi i tyre, në këtë rast nga Kosova”, thekson Dedushaj.

Sidoqoftë, ndërrimi i orientimit të këtyre mjeteve të diasporës nga konsumi në investimeve po konsiderohet mjaft i vështirë nga përfaqësues të bizneseve në Kosovë.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini tha për Radion Evropa e Lirë se politikat fiskale në Kosovë nuk janë në favor të duhur të bizneseve.

“Vështirë është të ndryshojë orientimi i remitencave kah investimet për shkak se Kosova ka një ambient jo të përshtatshëm ekonomik, karshi konkurrencës që vjen nga vendet e rajonit. Vendet tjera si Maqedonia deri në 49 për qind të investimeve i mbulon shteti, Serbia po ashtu e ka bërë një pako për investitorët e huaj që është mjaft konkurrente, e që Kosova nuk ka bërë shumë në këtë drejtim”, tha Shahini

Ndryshe, nga rezultatet preliminare të regjistrimit të diasporës, numri i qytetarëve të Kosovës që jetojnë në vende të ndryshme të Evropës dhe botës. të cilët i janë përgjigjur regjistrimit, është rreth 350 mijë./REL