Diaspora, rol kyç në zhvillimin e Kosovës
Gjatë vizitës së tij në Therandë, kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi, ka folur edhe për diasporën, duke thënë se “ka ardhur koha që përvojat e çmueshme të bashkatdhetarëve tanë të vihen në dispozicion të zhvillimit ekonomik”.
Lajme
Dihet që Theranda është një ndër komunat që ka nivelin më të lartë të emigracionit, prandaj Thaçi tha se kur flitet për Misionin e Ri të zhvillimit të Kosovës, nuk ka se si të mos merret në konsideratë potenciali i jashtëzakonshëm i një të tretës së popullsisë tonë që jeton jashtë vendit.
“Ka ardhur koha, që përvojat e çmueshme të bashkatdhetarëve tanë të vihen në dispozicion të zhvillimit ekonomik”, ka thënë Thaçi.
Misioni i Ri, sipas tij është hartuar me bindjen se Kosova ka nevojë edhe për përvojën e diasporës në ekonomitë e zhvilluara të tregut, për ekspertizën në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, për kapacitetin e tyre të sipërmarrjes, për etikën e lartë profesionale që kanë adoptuar, për edukatën në respektimin e institucioneve që kanë fituar në vendet pritëse, për kreativitetin e tyre dhe shpirtin e ndërmarrësisë.
Thaçi theksoi gjithashtu se Fondi i Punësimit do të vihet në dispozicion të sipërmarësve të diasporës që janë të gatshëm të kthehen, të themelojnë biznese e të hapin vende të reja të punës në Kosovë.
Përveçse si burim investimesh të drejtpërdrejta të huaja, diaspora do të ndihmojë edhe në rritjen e eksporteve kosovare, duke promovuar konsumimin e tyre nga bashkatdhetarët në perëndim.