Dialogu u ngadalësua shkaku i zgjedhjeve në Kosovë e Serbi

Dialogun mes Kosovës dhe Serbisë gjatë vitit 2014 e përcolli një ritëm më i ngadalshëm, meqë në të dy vendet u zhvilluan zgjedhjet e përgjithshme, ku pati edhe ndërrime në formacionet qeverisëse.

Lajme

28/12/2014 15:06

Megjithatë, zyrtarë të Qeverisë së Kosovës vlerësojnë se edhe gjatë këtij viti që po kalon, pati përparime në aspektin e zbatimit të marrëveshjes, por jo në rrumbullakimin e agjendës, ngase në të dyja vendet pati agjenda zgjedhore, sikurse edhe në Bashkimin Evropian, ku gjithashtu pati ndryshime në udhëheqjen e saj.

Mes Kosovës dhe Serbisë ende vazhdojnë të mbesin çështje të hapura që do të trajtohen gjatë vitit 2015, me vazhdimin e dialogut mes dy vendeve.

Ministrja pa Portofol, Edita Tahiri, e cila ka udhëhequr bisedimet teknike në Qeverinë e kaluar, tha për KosovaPress se dialogu i Brukselit gjatë vitit 2014 ka shënuar përparime të rëndësishme, por ato lidhen vetëm me pjesën e zbatimit të marrëveshjeve, derisa ka pasur pak përparime në aspektin e rrumbullakimit të agjendës për shkak të agjendës zgjedhore në Kosovë dhe në Serbi, por edhe vet BE-ja ka shkuar në proces të ndryshimit të lidershipit.

“Unë mendoj që përparimet janë bërë në fusha të rëndësishme, ku dëshiroj të përmend funksionalizimin e komunave legale në veri të vendit tonë, ku në bazë të marrëveshjes së Brukselit këto komuna jo vetëm që morën pjesë në zgjedhjet e Kosovës, por që nga janari miratuan edhe statutet në bazë të Kushtetutës së Kosovës. Po ashtu, ka pasur përparime në fusha tjera. Janë arritur plane për zbatimin e energjisë dhe telekomit dhe procesi po vazhdon, pastaj çështja e sigurimit të automjeteve ka arritur gati para mbërritjes së marrëveshjes, kemi marrëveshjen për ndërtimin e objekteve të IBM-së, e marrëveshje tjera që kanë të bëjnë me zbatimin e marrëveshjeve”, thotë Tahiri.

Ministrja Tahiri thotë se për zbatimin praktik të marrëveshjeve, ajo është e bindur që agjendat zgjedhore nuk kanë qenë ndikim, por ka pasur mosvullnet nga ana e Serbisë që ato të zbatohen.

Deputeti i LDK-së, Arben Gashi vlerëson se proceset e brendshme në të dyja vendet kanë ndikuar që procesi i dialogut të ngecë.

“Problemet e brendshme politike e kanë ngadalësuar procesin dhe tashmë mbetet të shihet, pas konsolidimit të dy qeverive, si do të procedohet. Besoj se prioritet i parë i Kosovës nuk duhet të jetë dialogu, por zhvillimi ekonomik dhe ndalja e të rinjve që të jetojnë një jetë me të mirë e jo të ikin nëpër Serbi e krejt Evropën si refugjatë. Mendoj se ky është problemi kryesor i Kosovës, normalizimi me Serbinë është i rëndësishëm por nuk është prioritet i parë”, theksoi Gashi për KP.

 

Deputeti Gashi shton se dialogu do të vazhdojë edhe më 2015, por nuk beson se do të jetë prioritet. Ai mendon se duhet të diskutohen çështjet që kanë mbetur pa u zgjidhur dhe definitivisht të shkëputet ndikimi i Qeverisë së Serbisë në serbët lokalë të Kosovës.

Edhe profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” , Afrim Hoti vlerësoi se zgjedhjet në dy shtetet kanë ngadalësuar procesin e dialogut.

“Mendoj që është krejtësisht e kuptueshme që kur vendet kalojnë në procese zgjedhore, trendi ose dinamika e aktiviteteve për të cilat janë të thirrur institucionet, bie. Mbi këtë bazë duke pasur parasysh edhe Serbia edhe Kosova këtë vit kanë kaluar në procesin zgjedhor, atëherë si çdo fushë tjetër, edhe dialogu ka shënuar rënie në kuptimin e avancimit në radhë të parë, por edhe në kuptimin e zbatimit të atyre marrëveshjeve që janë arritur deri në momentin e zgjedhjeve, në radhë të dytë”, theksoi Hoti.

Por ai mendon se me kalimin e kohës të dy vendet do të ngushtojnë sferën e bisedimeve dhe objektivisht do të koncentrohen tek ato çështje që do të mund të arrihen rezultate. Ai vlerëson se është jetike për të dy qeveritë në të njëjtën kohë që të bëjnë zbatimin praktik, ose vënien në jetë të gjitha atyre marrëveshjeve të arritura deri me tani, në të kundërtën duket dhe tingëllon paradoksale që të hapen tema tjera, ndërkohë që ato të vjetrat nuk zbatohen.

Çështjet që kanë mbetur të hapura në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë janë: çështja e zhbërjes së strukturave paramilitare, e njohur si mbrojtje civile, pastaj çështjet e drejtësisë, ku marrëveshja është arritur që të ketë një gjykatë themelore për rajonin e Mitrovicës sipas sistemit unitar të drejtësisë në Kosovë si dhe një zyrë prokurorie, dhe disa çështje të karakterit kuantitativ.

Ministrja Tahiri tha se ka mbetur e hapur edhe çështja e Asociacionit që duhet të negociohet në nivel kryeministrash, ku edhe do të definohet funksioni, por, sipas saj, marrëveshja e Brukselit e definon atë si asociacion të njëjtë me këtë asociacionin që është aktualisht, që do të ketë karakter konsultativ, koordinues, por asnjëherë nuk do të ketë ndonjë kompetencë ekzekutive. (KosovaPress)