Dialogu me Serbinë të jetë më transparent

Sot në tryezën diskutuese të radhës së Forumit 2015, do të trajtohet rrugëtimi i dialogut Kosovë-Serbi dhe e ardhmja në realitetin e ri politik në këto dy vende.

Lajme

29/09/2017 09:14

Pas një viti stagnim të procesit të dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë, elitat politike dhe bashkësia ndërkombëtare duken të vendosur për vazhdimin e këtij dialogu. Mirëpo deri më tash, ky proces është përcjellë nga eskalime dhe tensione në skenën politike kosovare. Siç ka qenë deri tani, dialogu është kritikuar për mungesë të transparencës dhe mos-implementim të marrëveshjeve të arritura.

Koordinatorja e programit për integrime evropiane në Fondacionin Kosovar për Shoqëri të Hapur (KFOS), Rudina Hasimja, vlerësoi dialogu është një ndër proceset më të rëndësishme që e prek qytetarin.

“Nga ky dialog ka pasur protesta, ka pasur marrëveshje që nuk janë implementuar. Për këtë temë duhet të ketë një analizë, duhet të kemi një ide që të i trajtojmë disa çështje urgjentet. Përfundimi i dialogut duhet të ketë qasje dhe ide”, tha ajo sot (e premte) në emisionin e mëngjesit “Mirëmëngjesi Kosovë’, në Radio Televizionin e Kosovës (RTK).

Hasimja tha se dialogu ka qenë temë më e përfolur deri më tani. “Është koha tani që të bëhemi me serioz se çka mund të presim nga ky dialog, që është konsideruar jo transparent. Publiku kosovar ka qenë në hije nga ky dialog. Spektri polik donë të vazhdojë me dialog, por nuk dijmë si po ec puna. Është një mjegull në këtë segment”, tha ajo.

Diskutimi i sotëm i “Forum 2015” synon të shpalosë skenarët e mundshëm të së ardhmes së këtij dialogu të shumëpërfolur, duke prekur aspekte të rëndësishme që do të përcaktojnë suksesin apo dështimin e këtij procesi.