Dhurata e Feronikelit

Feronikeli shkroi një kapitull të ri në histori të klubit duke fituar Kupën e Kosovës në futboll. Drejtori Artan Berisha thotë se puna e madhe u shërblye dhe ekipi mori dhuratën e madhe në përvjetorin e 40-të të themelimit.

Sport

07/06/2014 21:31

Feronikeli feston, me plotë të drejtë pasi skuadra mposhti Hajvalinë me rezultat 2:1 në finalen e Kupës së Kosovës, dhe fitoi trofeun e parë në histori të klubit.

Suksesi i madh, u ndesh me përvjetorin e 40-të të themelimit të klubit duke ardhur si një dhuratë për të gjithë të angazhuarit në klub. “40 vjetori i themelimit të klubit rastisi me trofeun e Kupës së Kosovës, një arritje e madhe për ne si klub”, deklaroi drejtori i Feronikelit, Artan Berisha për Lajmi.net.

“Ky sukses është fryt i punës së madhe si kryesi, ekip, por edhe falë ndihmës nga Komuna”, shtoi ai.

Si një skuadër në adaptim e sipër në elitën e futbollit kosovar, Feronikeli ngadalë është duke u mësuar me ambientin dhe ballafaqimet kundër ekipeve më të mëdha, dhe sfidave që sjell Superliga.

“Tash e dy edicione jemi anëtarë të Superligës dhe ngadalë jemi duke krijuar një stabilitet. Ekipi për sa më tepër që luan së bashku aq ma solid do të jetë. Por, Kupa është arritje e madhe nga një klub që vjen nga një qytet i vogël”, theksoi Berisha.

Sigurisht, meritat në suksesin e Feronikelit janë fryt i punës së palodhshme të trajnerit Ramiz Krasniqi. Berisha shpreson që strategu i mirënjohur do të mbetet në drejtim të skuadrës edhe gjatë sezonit të ardhshëm.

“Pa dyshim se Ramizi ka merita të mëdha në suksesin e ekipit, ai ka bërë punë të mrekullueshme dhe shpresoj që të mbetet edhe më tutje me ne. Do të takohemi për të biseduar sepse duhet të dëgjojmë synimet e tij. Njësoj do të veprojmë edhe me futbollistët duke diskutuar rreth vazhdimit të bashkëpunimit”, përfundoi ai.