Dhunë turko-kurde në rrugët e Gjermanisë

Misioni ushtarak turk në Siri duket se po shkakton dhunë në Gjermani. Policia mendon se grupe kurdësh që jetojnë në Gjermani u kanë vënë zjarrin objekteve fetare turke apo dyqaneve të turqve në Gjermani

Bota

23/03/2018 09:47

Çdo ditë kurdi Can Sivas merr me e-mail nga Afrini në Siri fotografi të reja të tmerrshme. Can Sivasi jeton në Berlin dhe është aktivist i organizatës kurde NAV-DEM, Ai i është përkushtuar luftës për pavarësinë e popullit të tij dhe mezi përpiqet ta mbajë zemërimin: “Çfarë do të ndjeni ju nëse do të shihni njerëz të plagosur kështu? Nëse do të shihni se kjo vazhdon gjatë tërë kohës? Dhe sidomos nëse shihni se këto bëhen me armë nga ky vend. Kjo më  zhgënjen tërësisht. Vërtetë. ”

Jo vetëm anëtarët e organizatës NAV-DEM në Berlin, që është e afërt me Partinë e Punëtore Kurde, por kudo në Gjermani kurdët po mobilizohen këto ditë. Autoritetet gjermane mendojnë se kurdët nuk janë gjithmonë paqësorë në protestat e tyre. Kështu ka dyshime se pas një serie sulmesh ndaj disa dyqaneve dhe xhamive turke janë kurdët.

Por Sivas fajëson xhamitë e drejtuara nga Turqia për atmosferën e helmuar: “Çdo javë përmes predikimeve u flitet dhjetëra mijëra, apo qindra mijëra vetëve. Dhe këto gjëra e helmojnë bashkëjetesën demokratike këtu dhe kanë pasoja edhe për ne si aktivistë, qofshin kërcënimet personale, një gjendje e çuditshme, apo armiqësi personale … ”

Berlin Brandanschlag auf türkische Moschee (picture-alliance/dpa/P. Zinken)Xhamia e djegut në Berlin-Reinickendorf

Vetëm disa qindra metra më tej në Berlin-Reinickendorf gjendet një xhami e tillë – ose ajo që ka mbetur prej saj. Në fillim të marsit, ajo u shkatërrua plotësisht nga një sulm zjarrvënieje. Kjo xhami i takon Shoqatës Turke DITIB dhe është në varësi të autoriteteve fetare në Ankara. Kryesia e të rinjve të xhamisë nuk dëshiron të thotë se për kë dyshon për sulmin.

“Ata duan të nxisnin urrejtje. Por ne nuk duam ta pranojmë këtë provokim. Ja shihni pllakatat jashtë. Ne nuk duam ta luftojmë urrejtjen përmes urrejtjes, urrejtja mund të mposhtet vetëm nga dashuria.” – thotë  Bilal Demirer, kryetar i grupit rinor të Shoqatës Turke DITIB. Por në xhamitë e DITIB-it besimtarët janë lutur edhe për fitoren e ushtrisë turke në Sirinë veriore. Mustafa Yeneroglu, deputet  i partisë qeverisëse turke AKP, nuk e konsideron këtë si ndonjë gjë të keqe: “Kur në kisha njerëzit falen për ushtarët e rënë në Afganistan, atëherë edhe bashkësa fetare muslimane mund të falet për jetën e ushtarëve, për viktimat në Turqi dhe Afrin. Faljet duhen zhvilluar pikërisht në xhami, se ato janë vende paqeje, vende shprese – dhe për këtë lutemi. ”

Por megjithë thirrjet për paqe, thirrjet për hakmarrje midis të rinjve turq në Gjermani po shtohen gjithnjë e më shumë. Autoritetet gjermane duan t’i parandalojnë problemet mes dy grupeve, duke rritur praninë policore përpara institucioneve turke.

Deutschland | Kurden-Demo in Köln (picture-alliance/Geisler-Fotopress/C. Hardt)

Po ashtu një numër i madh policësh ishin të pranishëm edhe në demonstratën qendrore për Vitin e Ri kurd në Hanover. Meqë aty shfaqen vazhdimisht simbolet e PKK-së, e cila është e ndaluar në Gjermani, policia kërcënon ta shpërndajë demonstratën. Agresioni është i dukshëm.

Berlinezi Can Sivas, që merr pjesë po ashtu në demonstratë e konsideron ndalimin e PKK-së në Gjermani si gjunjëzim përpara qeverisë turke. Ai nuk e sheh si të drejtë që në një faqe interneti të afrët me PKK-në bëhet thirrje për sulme ndaj institucioneve turke dhe madje edhe edhe atyre të partive qeverisëse gjermane. Por edhe ai e sheh Gjermaninë si një aleate të armikut turk. “Ne kemi shumë simpatizantë, por shteti dhe qeveria po bëjnë një politikë të gabuar dhe ne jemi kundër saj. Ashtu siç jemi kundër shtetit turk dhe qeverisë turke, dhe jo kundër qytetarëve turq në vetvete.” – thotë  Can Sivasi.

Zemërimi i kurdëve si Can Sivas po rritet – dhe me të edhe rreziku për më shumë dhunë turko-kurde në rrugët e Gjermanisë./DW