Dhuna mes refugjatëve në Gjermani, prania e policisë është e domosdoshme në kampe

Dyndjet masive të azilkërkuesve kanë zgjuar tensione të shumta në Gjermani. Mediat dhe banorët vendas tregojnë se dhuna ka eskaluar, duke e bërë të domosdoshme prezencën e patrullave të policisë thuajse në çdo kamp ku strehohen azilkërkuesit.

Bota

29/07/2015 23:48

Në radhët e refugjatëve mësohet se herë pas here ka konflikte mes tyre, ku përgjithësisht, shkruan “Financial Times” personat e ardhur nga Lindja e Mesme krijojnë rrëmujë. Por nuk mungon as presioni i vendasve, të cilët nuk duan që refugjatët të akomodohen në Gjermani.

Nuk kanë munguar edhe rastet kur është ushtruar dhunë mbi ta. Azilkërkuesit i tremben ksenofobisë së treguar nga gjermanët, dhe duan që fjala e tyre të përcillet nga media, transmeton Top Channel.

“Nëse ne dëbohemi, çfarë do të ndodhë? Ku do të shkojmë ne?”, shprehet një azilkërkues.

Por siç dëshmojnë azilkërkuesit, pjesë e kësaj dhune janë edhe vetë efektivët e policisë, të cilët sipas tyre shfrytëzojnë uniformën për të krijuar panik tek ata që të largohen pa përfunduar procedurat.

Që në fillim të këtij viti numërohen gati 200 sulme në strehat e azilkërkuesve.