Dhjetë vjet shtet – Lajmi.net
Dhjetë vjet shtet
Autori: Lajmi.net LajmeOpinion 17:51, 14 February 2018
Shteti  i Kosovës meriton gjithë dashurinë tonë, gjithë respektin tonë, gjithë nderin tonë.
Nga: Blerim Shala
 
E pra, po i bëjmë këto ditë dhjetë vjet shtet.
Rendi do të ishte që të gjithë të marrim frymë më thellë, të mos flasim me të parën, të jemi më të matur në vlerësimin çka kemi bërë mirë dhe çka keq, ku kemi gabuar dhe ku kemi pasë sukses, çka duhet bërë tash e tutje që ky shtet, të gjithë ne, qytetarët e tij, të ecim më shpejtë në sendërtimin e synimeve themelore të këtij shteti: Të jetë i qëndrueshëm, stabil, i fortë, brenda vetes, në rajon, në Evropë dhe në Botë. Të jetë pjesë e Paktit NATO dhe e BE-së.
Por neve qëmoti na ka humbur durimi për tu marrë si duhet me vetëveten.
Kishim durim, besa edhe maturi dhe guxim, që këtë ta bëjmë në periudhat më të rënda, kur në pyetje ishte edhe jeta e secilit prej nesh, kur natyrisht, të gjithë ne e dinim shumë mirë që edhe vdekja apo flijimi për Atdheun që ishte i robëruar, ia vlente për të arritë çlirimin e këtij vendi, dhe që në liri, pastaj, të vendosim për krijimin e shtetit të Kosovës.
Por ja që ne tash e sa vjet, nuk po jemi në gjendje ta kryejmë një obligim që ia kemi borxh vetes si shtet, para se të gjithash, e pastaj Bashkimit Evropian dhe të gjithë të tjerëve. Diçka e tillë do të ishte e pabesueshme në shkurtin e vitit 2008, kur u bëmë shtet. Pra, nuk po arrijmë të bëhemi bashkë, dhe ta zgjidhim çështjen e kufirit të Kosovës me Malin e Zi. Shenjimi i kufijve të Kosovës me shtetet fqinje është një tjetër argument që konfirmon sovranitetin e këtij shteti.
Ne, tash e sa vjet jemi hamendur ta kthejmë flamurin e shtetit të Kosovës në hyrje të Prishtinës, duke bërë kalkulime dhe hesape të lloj-llojshme, të karakterit të politikës ditore, ndërsa edhe kur u vendos disi, më shumë nga presioni i qytetarëve të Prishtinës, për ta kthyer këtë flamur ku ka qenë, kjo u bë në mbrëmje, thuajse kemi të bëjmë me një veprim klandestin të autoriteteve qendrore. Për më shumë, kallëm debatin në rrjetet shoqërore dhe kudo, në ato rrjetet klasike të kafeneve, duke vendosur raporte përjashtimi në mes të flamurit të shtetit të Kosovës dhe atij kombëtar, që njëkohësisht është edhe flamur i shtetit të Shqipërisë. Mëkat është se si jemi në gjendje të krijojmë probleme dhe tensione aty ku nuk ka fare. Në Kosovë ka vend sa të duash edhe për flamurin e shtetit, edhe për atë kombëtar. Këtu nuk ka garë. As konkurencë. As përjashtim.
Më në fund, të shtyrë mbi të gjitha me spekulimet politike serbe, ne në ditët e kaluara mëdyshëm edhe tërësinë territoriale të shtetit të Kosovës, duke përmendur aq shumë ndarjen dhe shkëmbimin territorial, kinse si solucion për Marrëveshjen në mes të Kosovës dhe Serbisë.
115 shtetet e Botës, SHBA, Evropa, na kanë njohur në këta kufij dhe në këtë territor që kemi. Kjo duhet të jetë e qartë për të gjithë ne.
Është e pabesueshme pra që në vend që këto ditët e shkurtit, t’i shfrytëzojmë për të kujtuar se çka bëmë të gjithë ne që jemi gjallë, dhe shumë të tjerë që dhanë jetën për këtë liri dhe për këtë shtet, që ta kemi shtetin tonë, ne mirremi me gjëra të cilat objektivisht, definohen me vetë aktin e lindjes, të krijimit të një shteti.
Shteti e bën me identitetin suprem, një popull në tërësi dhe secilin qytetar të tij.
Secili fëmijë që lindet, ka me vetëm çastin e ardhjes në jetë, në Kosovë, certifikatën e lindjes, ku tregohen prindët e tij, dhe certifikatën e nënshtetësisë, ku dëshmohet shteti i tij.
Është e vërtetë, që ne, në këtë shtetin tonë të Kosovës, kemi ecë më ngadalë se sa që kemi synuar, që kemi menduar, dhe që kemi merituar madje.
Gjithçka që kemi përjetuar, si shqiptarë të Kosovës, është veçuar me vështirësi të jashtëzakonshme. Prej çlirimit, bërjes së shtetit, rritjes dhe mbajtjes së tij në dhjetë vitet e kaluara.
Ne, realisht, jemi më të mirë se sa që dukemi.
Ne të gjithë duhet ta dimë që shteti i Kosovës është vlerë e përbashkët, që këtu jemi të gjithë një rresht i vetëm, që nuk mund të ndahemi, të përçahemi, të përplasemi, duke u thirrë në këtë shtet, apo, madje, duke e mohuar ate.
Ky shtet meriton gjithë dashurinë tonë, gjithë respektin tonë, gjithë nderin tonë./Lajmi.net/

Fotolajm

“Kulturë boksi” përpara Ministrisë së Kulturës në Prishtinë /FOTO
Foto, aparati për matjen e fuqisë së goditjes përpara Ministrisë së Kulturës në Prishtinë /lajmi.net ?>

ke nje LAJM

Jeni në vend të ngjarjes, apo dëshironi ta ndani ndonjë storie me të tjerët?

Klikoni në butonin më poshtë

DËRGO
 

Lojëra

  • Play Turbo Racing 3
  • Play World Soccer Champion
  • Play Bow Master Japan
  • Play Bike Rivals