Dhjetë komunat ku Vetëvendosja humbi numër të madh votash

Lëvizja Vetëvendosje ishte befasia e zgjedhjeve të përgjithshme të 11 qershorit, duke arritur të dalë e para në disa komuna kryesore.

Lajme

23/10/2017 22:00

Rezultatet në Gjilan, Kaçanik, Fushë Kosovë, Mitrovicë, Pejë, Ferizaj, Viti, Obiliq e komuna tjera ishin shumë të kënaqshme për partinë e Visar Ymerit.

Por situata doli ndryshe në zgjedhjet lokale që u mbajtën dje.

Në shumicën prej këtyre komunave, Lëvizja Vetëvendosje pësoi një humbje të madhe të votave, shkruan lajmi.net

Në qytetin e Gjakovës nga 30.25% sa kishte në zgjedhjet qendrore, VV-ja nuk arriti të fitojë më shumë se 12% në këto zgjedhje ku kandidat e kishin Driton Çaushin.

Në zgjedhjet e 11 qershorit, Vetëvendosja kishte dalur e para në Gjilan me mbi 42% të votave. Por në zgjedhjet lokale, Sami Kurteshi nuk arriti të fitojë më shumë se 27% të votave.

Numër të madh të votave humbi edhe në Pejë. Në zgjedhjet qendrore Vetëvendosje kishte pasur më shumë se 23% të votave, kurse në zgjedhjet lokale ata nuk kanë arritur ta prekin as 7 përqindshin.

As në Mitrovicë, Fehmi Ferati nuk arriti t’i fitojë votat që partia e tij i kishte marrë në zgjedhjet parlamentare. Nga 36% sa kishte pasur VV-ja në vendlindjen e Kadri Veselit, në zgjedhjet e djeshme ata fituan mbi 15% të votave.

Rënie të madhe VV pësoi edhe në Ferizaj, Kaçanik, Fushë Kosovë, Obiliq, Vushtrri dhe Viti.

Lajmi.net ju sjellë përqindjet:

Ferizaj: 35% (zgjedhjet nacionale), 21.90% (zgjedhjet lokale)

Kaçanik: 38% (zgjedhjet nacionale), 20% (zgjedhjet lokale)

Fushë kosovë: 34% (zgjedhjet nacionale), 20% (zgjedhjet lokale)

Obiliq: 27% (zgjedhjet nacionale), 7.87 (zgjedhjet lokale)

Vushtrri: 36% (zgjedhjet nacionale), 25% (zgjedhjet lokale)

Viti: 37% (zgjedhjet nacionale), 22.95% (zgjedhjet lokale). /Lajmi.net/