Dhimbje gjatë ciklit menstrual? Mjekja jep formulën që ju çliron përgjithmonë

Me cikël të rregullt menstrual do të kuptojmë një cikël që vjen në mënyrë të rregullt periodike dhe brenda skemës normale. Një herë në 21 ditë, një herë në 28 ditë dhe një herë në 32 ditë. Çdo deviacion nga kjo skemë quhet çrregullim menstrual.

Lifestyle

10/09/2017 15:08

Lindita Myzyri, mjeke gjinekologe pranë Qendrës Shëndetësore nr.3 në Tiranë, flet lidhur mbi këto çrregullime duke renditur edhe shkaqet, që nga faktorët natyrorë si stresi, deri në probleme mjekësore, të tilla si: kistet në vezore, miomat, polipet, infeksionet e ndryshme apo edhe gjendra tiroide.

Çfarë nënkupton një cikël i rregullt menstrual?
Me cikël të rregullt menstrual do të kuptojmë një cikël që vjen në mënyrë të rregullt periodike dhe brenda skemës normale. Një herë në 21 ditë, një herë në 28 ditë dhe një herë në 32 ditë. Çdo “shmangie” nga kjo skemë quhet çrregullim menstrual.

Çfarë i shkakton çrregullimet e ciklit menstrual?

Para se të themi se çfarë i sjell këto çrregullime, duhet të kuptojmë diçka. Cikli kur vjen për herë të parë tek një femër, nuk është asnjëherë i rregullt. Mund të vijë një herë në muaj, një herë në dy muaj, një herë në tre muaj, derisa organizmi të përshtatet me këtë ndryshesë të re tek femra dhe kjo zgjat dy deri në tre vjet.
Nëse nuk stabilizohet edhe pas tre vitesh që të jetë 21, 28 apo 32-ditor, atëherë flasim për një çrregullim të ciklit.

Por çfarë ndikon në këto çrregullime?

Faktorët janë të ndryshëm. Kemi faktorë natyrorë dhe faktorë mjekësorë, por le t’i rendisim me radhë.
Faktorët natyrorë:
1-Ciklin mund ta ndryshojë vetë metabolizmi i një femre.
2-Ciklin e ndryshon klima.
3-Cikli ndryshon pas një stresi të kaluar.
Çrregullimet që vijnë si pasojë e fenomeneve natyrore, nuk përbëjnë asnjë lloj problemi, mjafton që të gjendet shkaku, ta këshillojmë mirë për secilin nga këto fenomene dhe ta qetësojmë pasi ka shumë rëndësi dhe ana psikologjike.

Problemet me ciklin
Ka dy kategori pacientësh. Kategoria e parë janë vajzat e reja që kanë një ose dy vite që u kanë ardhur periodat dhe mbas kësaj kohe i janë shfaqur këto fenomenet e dhimbjes. Vijnë të shoqëruara nga mamatë e tyre, marin skemën e mjekimit dhe ‘’shpëtojnë’’.
Kategoria e dyta janë ato të cilat kanë provuar vetë çdo gjë në farmaci dhe nuk kanë gjetur rezultat.

Këshilla?

Vajza ose gruaja, nga momenti i parë që i vjen cikli menstrual, është ose jo e virgjër, duhet që të paktën një herë në 6 muaj të paraqitet tek mjeku gjinekolog.
E dyta, për çdo problem, sado të vogël që ta quajë atë, nuk duhet të shkojë direkt në farmaci, por të paraqitet tek gjinekologu.
E treta, të ketë kujdes higjienën personale. Është jashtëzakonisht e rëndësishme të kujdesemi për higjienën personale.

Shkaqet mjekësore

1-Kistet në vezore. Kur një femër ka kiste në vezore, patjetër ka dhe çrregullime të ciklit e cila qoftë me një vizitë apo detyrimisht me një eko gjinekologjike përcaktohet se ku është vendosur kisti, masa, natyra dhe përbërja e tij që më pas të vendoset trajtimi.

2- Infeksionet e ndryshme. Veç kisteve, shkak për ndryshimin e periodave mund të bëhen edhe infeksionet e ndryshme tek femra, duke filluar që nga ata banale si p.sh një myk i instaluar prej kohësh dhe i patrajtuar.

3- Miomat. Një cikël menstrual mund ta çrregullojnë edhe miomat e ndryshme ose fibromiomat të cilat vendosen në pjesë të ndryshme të mitrës. Megjithatë jo të gjitha llojet e miomave apo fibromiomave japin çrregullime të ciklit. Çrregullim të ciklit japin vetëm ato që janë të vendosura në pjesën e brendshme të mitrës dhe shoqërohen ose me shumë hemorragji, ose çrregullim të ciklit, një herë në dy muaj, një herë në tre muaj e kështu me radhë.

4- Polipet. Polipet e qafës së mitrës dhe polipet e endometrit (shtresa e brendshme e mitrës) japin gjithashtu çrregullim të ciklit. Gruaja është pothuajse gjatë gjithë kohës me hemorragji, ndoshta jo në sasi, por pika-pika, dhe midis këtyre pikave që quhen spoting, ka shpeshherë dhe ditë të zgjatura me hemorragji.

5- Premenopauza. Një çrregullim tjetër i ciklit, por që është natyral, mund të konsiderohet edhe premenopauza. Femra para se të futet në menopauzë të plotë ka paramenopauzën, ose premenopauzën.  Në premenopauzë vezoret fillojnë të reduktohen, të zvogëlohen, të rrudhen dhe folikujt nuk janë më njësoj si në fazën riprodhuese. Kjo sjell ndryshim të ciklit, i cili nga një herë në muaj, tashmë vjen një herë në 2, 3, 4, 5, 6 muaj derisa të bëhet një vit i plotë dhe femra futet në menopauzë, cikli nuk vjen më fare.

6-Tiroidet. Një femër që vuan nga tiroidet ka shumë mundësi të bëjë çrregullime të ciklit menstrual, pasi një TSH e rritur ndikon duke ndryshuar balancën e hormoneve femërore.

Si ndikojnë metodat kontraceptive në çrregullimet e ciklit?

Metodat kontraceptive ndikojnë shumë pozitivisht për rregullimin e ciklit menstrual, vetëm atëherë kur femra ka kiste. Pra, ne kistet i mjekojmë me metoda kontraceptive, por duhet të theksojmë diçka këtu. Kur një femër i fillon metodat kontraceptive duhet të këshillohet jashtëzakonisht shumë mirë, pasi duhen pirë me shumë rregull, në atë orë që fillon tabletën e parë duhen pirë në vazhdimësi, me të njëjtin ritëm, në të njëjtin orar, pas buke, para gjumit. Nëse i harrojmë këto, atëherë na ndodhin ato spoting që i përmendëm më lart.

Sa normale janë dhimbjet e forta gjatë ciklit menstrual?

Çdo metabolizëm ka veçoritë e veta, ndaj edhe reagimet ndaj fenomeneve të ndryshme fiziologjike që ndodhin në trup, janë të ndryshme.
Ka femra të cilave para se t’i vijë cikli menstrual, ndiejnë dhimbje duke filluar që nga mbindjeshmëria e gjoksit, dhimbjet në fund të barkut, dhimbjet e mesit etj,  dhimbje  të cilat i shoqërojnë përgjatë gjithë ciklit dhe ndonjëherë edhe mbasi ai ka mbaruar. Kjo gjë është shumë normale pasi gjatë çarjes së folikulave, brenda vezores ndodh një spazmë apo shtrëngim shumë i fortë gjë e cila sjell dhe daljen e gjakut jashtë. Kjo ndodh për më së shumti tek femrat e dobëta dhe tek ata që janë shumë sensibël, pra, nuk durojnë asnjë lloj dhimbje.

Përdorimi i antiinflamatorëve për qetësimin e dhimbjeve menstruale. Ku gabojnë femrat?

Fatkeqësisht, pjesa më e madhe e femrave që kanë problemet me dhimbjet para, gjatë dhe pas ciklit menstrual, drejtohen direkt në farmaci për të marrë tipe të ndryshme antiinfalamatorësh, apo ibuprofen.  Më e mira do të ishte që të paraqiten tek mjeku, të këshillohen sepse skema e trajtimit me antiinflamatorë është shumë mirë e përcaktuar për një femër. Mjafton të përdorë atë skemë vetëm një herë dhe për 6-7 muaj deri në një vit nuk do ta ketë më asnjë shqetësim.

Çfarë kujdesi duhet treguar në përdorimin e pecetave ditore?

Edhe nëse pretendojmë se marrim pecetat e duhura, vetë gjakderdhja e mbush pecetën dhe krijon lagështi duke ndryshuar pehashin dhe krijuar terren për myk vaginal.  Kur një femër bën myk dhe nuk e trajton atë si duhet, i hap vetes probleme në sferën riprodhuese.

Gjëja më e mirë që mund të bëjmë, është që gjatë periodave, mbi pecetat ditore të vendoset edhe një napë, në mënyrë që organi të mos jetë direkt në kontakt me linesin./Shendeti.com